Keqtrajtimi i të burgosurve nga zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, është vetëm një nga pikat që nënvizon raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit. Raporti mbi praktikat e të drejtave të njeriut, përmend kushtet e jetesës, kujdesin shëndetësor dhe keqtrajtimet që po u bëhen të burgosurve në institucionet korrektuese.
Nga Ministria e Drejtësisë deklarojnë se janë duke punuar për vendosjen e masave më të rrepta për zyrtarët korrektues. Në anën tjetër nuk e konsiderojnë si shqetësuese për vendin, publikimin e gjetjeve të tilla në sektorin e drejtësisë, pasi thonë se janë raste sporadike.
Deri në korrik, Institucioni i Avokatit të Popullit kishte pranuar pesë ankesa ndaj Shërbimit Korrektues. Të njëjtat përfshijnë një për keqtrajtim, tre për kujdesin shëndetësor dhe një për kushte çnjerëzore të jetesës.
Raporti i fundit i DASh-it citon edhe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në raport me monitorimin e drejtave të njeriut në institucionet korrektuese.
“Ne si QKRMT jemi qendër referente për mekanizmat ndërkombëtarë, ku edhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit citon QKRMT-në në raport me monitorimin e të drejtave të njeriut në institucionet korrektuese. Ku shumë nga gjetjet tona janë të cituara në këtë raport, duke përfshirë edhe rastet e keqtrajtimit ndaj të burgosurve. Ne gjatë monitorimit gjatë vitit 2021, kemi pasur disa raste të cilat i kemi publikuar në raportin tonë vjetor”, shprehet Fatmire Haliti nga QKRMT.
Përkundër rasteve të tilla, Behgjet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut thotë se trajtimi i të burgosurve është më i mirë se në vendet e rajonit, shkruan KP.
“Trajtimi i të burgosurve nuk është i keq, nuk është aspak më i keq se vendet e rajonit. Tash nuk mund të krahasoheni me trajtimin e të burgosurve që bëhet në Danimarkë, Norvegji dhe vendet ku ka një qëndrueshmëri edhe afatgjatë. Kosova është vend i ri e ka një shërbim që deri vonë ka qenë i menaxhuar nga ndërkombëtarët edhe tash nuk mund të flitet për pavarësimin e plotë të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, shprehet ai.
Këshilltari politik në Ministrinë e Drejtësisë, Alban Muriqi thotë se ky fenomen nuk është sistematik.
“Nuk e shohim shumë shqetësuese pasi ato janë raporte apo raste shumë sporadike. Ka mundësi dhe mekanizmat e brendshëm arrijnë t’i trajtojnë me kohë dhe t’i adresojnë me kohë. Ka pasur njerëz që janë vendosur para përgjegjësisë dhe janë ndërmarrë hetimet e nevojshme. Ne kemi parë se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka cituar disa gjetje. Por, ne kemi takime me këto organizata dhe për fat të keq kemi parë që nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë evidenca dhe dëshmi për gjetjet e tyre. Më shumë janë në nivel të pohimeve dhe perceptimeve në nivel të burgjeve”, deklaron Muriqi.
Muriqi thotë se janë duke punuar për të parandaluar këto raste.
“Ligji për Shërbimin Korrektues adreson disa çështje, Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, ku pas miratimit në Kuvendin e Kosovës do të nxjerr udhëzime administrative për masat disiplinore ndaj personave të cilët bëjnë këso shkelje. Për stafin korrektues do të ndërmerren masa sa më të rrepta. Ministria është e përkushtuar që të shtrijë këto reforma ndaj një përgjegjësie dhe llogaridhënie për të luftuar këto fenomene”, shton këshilltari politik në Ministrinë e Drejtësisë.
Në raportin e DASh-it thuhet se kushtetuta dhe ligjet ndalojnë praktika të tilla, por ligjet zbatohen në mënyrë jokonsistente dhe ka pasur pretendime të vazhdueshme nga disa të paraburgosur për keqtrajtim nga policia dhe, në një shkallë më të vogël, nga personeli i shërbimit korrektues.
Kujtojmë se në të gjitha institucionet korrektuese janë rreth 1500 persona.