Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit para ndeshjes miqësore ndaj Andorrës, e cila luhet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Dardanët hyjnë në këtë test me disa mungesa në skuadër, pasi tre futbollistë nuk do të jenë të gatshëm për këtë përballje.
Aro Muric është liruar nga grumbullimi, ndërsa Amir Saipi dhe Rilind Nivokazi janë larguar për arsye personale.
Kosova vjen në këtë ndeshje pas humbjes 2:1 ndaj Republikës Çeke në miqësoren e fundit, ku “Dardanët” patën momente të mira loje, por nuk arritën ta shmangin disfatën.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka theksuar rëndësinë e këtij testi dhe nevojën për reagim pas humbjes së fundit.
Ai ka deklaruar se skuadra duhet të fokusohet maksimalisht për të marrë fitoren ndaj Andorrës, duke kërkuar intensitet të lartë që nga minuta e parë dhe duke paralajmëruar se nuk do të ketë nënvlerësim të kundërshtarit, i cili vlerësohet si ekip i organizuar taktikisht.
Kjo përballje vlerësohet si testi i fundit para fillimit të ndeshjeve të Ligës së Kombeve në muajin shtator dhe pritet të shërbejë si mundësi për Fodën për të testuar formën e lojtarëve dhe ide të reja taktike.
Ndeshja Kosovë – Andorra zhvillohet nesër nga ora 20:00, me synimin për një paraqitje bindëse dhe rikthim te rezultatet pozitive.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!