Sot në orën 14:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj kreut të PSD-së, Dardan Molliqajt, i cili u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, raporton Gazeta Sinjali.
Ndaj Molliqajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë dje ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit.
Këtë kërkesë, zyrtarët e PSD-së, po e quajnë orkestrim politik. Frashër Krasniqi nga kjo parti ka thënë se asnjë rrethanë ligjore nuk ekziston për ta justifikuar kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj Dardan Molliqajt.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme është liruar aktivisti i kësaj partie, Adem Megjuani, i cili po ashtu u arrestua të martën.
Ata dyshohen se kanë sulmuar policët gjatë protestës të së shtunës së kaluar, që PSD organizoi kundër propozimit për shtrenjtim të rrymës.
Molliqaj u arrestua në orët e mbrëmjes të së martës, në oborrin e një televizioni, para se të niste emisioni në të cilin ishte ftuar.