image Dardan Molliqaj mban armë zjarri edhe pas përleshjes me Haki Abazin

Kosovë

Siguri/ Dardan Molliqaj mban armë zjarri edhe pas përleshjes me Haki Abazin

news image

Ish deputetit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt nuk i është konfiskuar ende arma e zjarrit nga Policia e Kosovës, përkundër se ishte përfshirë në konflikt fizik me kandidatin për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazin pas një debati televiziv të shoqëruar me tensione, akuza dhe ofendime mes tyre, shkruan Gazeta Sinjali.

Pretendenti për karrigen e deputetit, i cili në bazë të videos ekskluzive të publikuar nga Gazeta Sinjali shihet si i dyshuari kryesor për sulm fizik ndaj rivalit të tij politik, posedon ende armën që kishte marr me leje, ndonëse Ligji për Armët specifikon qartë se personi fizik i cili është nën hetime për vepra penale paraqet rrezik për rendin dhe sigurinë publike.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar për këtë cështje me ministrin në largim të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ministria e të cilit është përgjegjëse për lëshimin dhe konfiskimin e lejeve për armë. Ai është arsyetuar se revokimi i lejes bëhet vetëm me urdhër të prokurorit.

“Në momentin që vjen kërkesa prej prokurorisë ne veprojmë, nuk kemi marrë ende ndonjë kërkesë. Nëse prokurori e sjellë kërkesën për t’ia konfiskuar armën ne e konfiskojmë, nuk kem të drejtë ligjore për t’ia konfiskuar armën pa urdhër të prokurorit”, ka deklaruar Mustafa për Gazetën Sinjali.

Arsyetimi i dhënë nga ministri në detyrë nuk ka mbështetje juridike në bazë të Ligjit për Armët.

Përderisa norma ligjore detyron organet kompetente që para se t`ia jap personit fizik pëlqimin/lejen për blerjen e armës, duhet të sigurohen se ai/ajo nuk ka procedurë penale të iniciuar dhe nuk paraqet rrezik për rendin dhe sigurinë publike, është absurde të pretendohet se në rastin e Molliqajt dhe kujdo që përfshihet në veprime të dhunshme, të mos i sekuestrohet arma deri në përfundimin e procedurës së filluar hetimore.

Gazeta Sinjali ka provuar të marr një përgjigje për këtë cështje edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, por zëdhënësja e këtij institucioni, Laureta Ulaj nuk ka pranuar të jap detaje.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, si dhe veprime të tjera hetimore. Rasti është duke u hetuar, andaj çdo informatë shtesë mund ta dëmtoj procesin hetimor”, ka deklaruar Ulaj për Gazetën Sinjali.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëvë të Brendshme, në Kosovë aktualisht kanë armë me leje 270 persona përfshirë edhe një numër të konsiderueshëm poltikanësh. Ministri Ekrem Mustafa ka deklaruar se ky numër është zvogëluar për rreth 40 përsona pasi në të kalurën kanë qenë 307 leje për armë. Sipas tij në mesin e atyre që nuk i është vazhduar leja janë edhe gjashtë politikanë kosovarë.

Ndërkohë sipas organizatave ndërkombëtare llogaritet se në Kosovë janë rreth 200 mijë armë pa leje. Më 17 shtator të këtij viti ishte përmbyllur afati për aplikim për legalizimin  e armëve pa leje ku kishin aplikuar mbi 1800 persona.

Për personat që mbajnë armët pa leje ligji parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burgim deri në pesë vjet./Gazeta Sinjali/