Dardan Krivaqa, i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmanit, është mbrojtur në heshtje para prokurorit sot, shkruan Gazeta Sinjali.
Avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, tha për Sinjalin se Krivaqa ka pasur të deklarohej sot rreth orës 09:00 para prokurorit, por ai ka refuzuar të deklarohet me arsyetimin se fillimisht dëshiron t’i shohë rezultatet e autopsisë së trupit të pajetë të Marigonës.
Rexhepi bëri të ditur se kjo është hera e tretë që Krivaqa e shfrytëzon të drejtën e tij, për t’u mbrojtur në heshtje. Si sot, ai ka vepruar edhe në polici, si dhe në gjykatë, kur i ishte caktuar masa e paraburgimit.
“Sot ka pasur deklarimin Dardan Krivaqa në orën 09:00, por është mbrojtur në heshtje. Me arsyetimin se dëshiron me i pa provat e këtij rasti, raportin e autopsisë. Kjo është hera e tretë që ai mbrohet në heshtje. Nuk është deklaru as në polici e as në gjykatë”, tha për Sinjalin avokati i familjes Osmani.
Raporti i autopsisë së Marigona Osmanit i është dorëzuar ditë më parë Prokurorisë Themelore në Ferizaj nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Krivaqa bashkë me shokun e tij, Arbër Sejdiun, po dyshohen se më 22 gusht të këtij viti kanë privuar nga jeta 18-vjeçaren, Marigona Osmani, të cilën e kishin dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt dhe ishin arratisur.
Dy të dyshuarit po mbahen në paraburgim dhe kjo masë që iu vazhdua në shtator do të vlejë deri më 21 nëntor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/