Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar tre persona, mes tyre dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve.
Sipas Prokurorisë, ndalimi është bërë pas një hetimi disa mujor të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Dy nga personat e ndaluar janë zyrtarë të MPB-së, njëri në Divizionin për të Huaj dhe tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil, ndërsa personi i tretë dyshohet për falsifikim dokumentesh.
Sipas hetimeve fillestare, zyrtarët F.Sh. dhe G.J. dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare duke lëshuar lejeqëndrime për shtetas të huaj në kundërshtim me procedurat ligjore, me dyshimin se përmes këtyre veprimeve është përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërkohë, i dyshuari D.K. dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme, me qëllim që t’u mundësonte personave të tjerë pajisjen me lejeqëndrime në Kosovë.
“Dyshohet se zyrtarët, në bashkëkryerje, kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj duke u mundësuar pajisjen me dokumentacion përkatës dhe përfitime pasurore të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit pritet që brenda afatit ligjor të vendosë nëse do të kërkojë nga gjykata caktimin e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!