Një grua shtatzënë nga Gjakova e cila dyshohej për koronavirus ka rezultuar negativ pas testimit në Klinikën Infektive.
Lajmin e kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali nga QKUK.
“Gruaja 40-vjeçare e cila është duke u trajtuar në QKUK ka rezultuar negativ në testin për koronavirus”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Gazeta Sinjali ka raportuar sot gjatë ditës se një grua 40-vjeçare nga Gjakova mbrëmë është dërguar në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për t’u transferuar pastaj në Klinikën e Neurologjisë
Anipse, ajo nuk ka pasur simptoma të koronaviusit, ajo gjatë ditës së sotme i është nënshtruar testit për këtë virus.
“Ka ardhur një shtatzënë mbrëmë nga Gjakova, është shtrirë në spital te ne, në Gjinekologji. Ka qëndro gjysmë ore aty, i është bërë rezonanca dhe është transferuar në Klinikën e Neurologjisë. Ajo ka pas probleme si lodhje, plogështi. E kemi sjellë neurologun e kanë transferuar në Neurologji, mbrëmë. Dy herë ka lindë me operacion, në muajin e shtatë, ka ardhur te na, është hospitalizuar për një orë është thirrur në konsultim neurologu, ka shkuar në Emergjencë prej aty e kanë transferuar në Neurologji”, kishte deklaruar drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli.
Ismajli njoftoi se asaj i është bërë testi për koronavirus sot, vetëm për siguri, pasi sipas tij, ajo nuk ka pasur shenja të infeksionit, por vetëm lodhje dhe plogështi./Gazeta Sinjali/