Sot do të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake të dyshuarit që u arrestuan gjatë ditës së djeshme, në aksionin kundër fajdeve që zhvilloi Prokuroria Themelore në Pejë. Sinjali mëson se seanca do të mbahet në orët e pasdites.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj 16 të arrestuarve.
Gjatë aksionit të zhvilluar dje, përveç arrestimit të të dyshuarve, janë sekuestruar edhe 45 mijë e 700 para të gatshme, 10 vetura, 12 armë të zjarrit, mbi 540 fishekë dhe 15 telefona.
Sinjali dje raportoi se nga arrestimet e djeshme pritet të zbulohen detaje për ngjarjen tragjike të 14 shtatorit të vitit të kaluar, vetëvrasjen e 36-vjeçarit Baton Berisha. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se arrestimi i të dyshuarve pritet të zbulojë se kush i bëri presion të riut që i dha fund jetës së tij.
Ndryshe, prokurorja Sahide Gashi, në konferencën e djeshme njoftoi se shuma që është ngrirë në këtë rast përllogaritet të jetë më shumë se 5 milionë euro.
“Kjo prokurori ka arritur që të arrestojë 17 persona të dyshuar për veprën penale të “fajdesë dhe detyrimit’ si dhe janë ngrirë pasuri që janë përllogaritur deri në këtë fazë që tejkalon shumën prej 5 milionë euro”, tha Gashi.
Ajo tha se për këtë rast hetimet kanë zgjatur më shumë se pesë muaj.
“Pas marrjes së informatave në fillim të nëntorit të vitit 2021 ku sipas këtyre informatave ishin të përfshirë mbi 20 persona në këto vepra penale, kryeprokurori ka formuar një ekip dhe kemi filluar hetimet zyrtare apo formale ku janë përfshirë Drejtoria për Krim të Organizuar në Prishtinë dhe Sektori për Hetim të Financave gjithashtu në Prishtinë”, deklaroi ajo.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.