Futbollisti kosovar, Mirlind Daku ishte heroi i Osijekut duke ia siguruar një fitore me përmbysje 3:2 ndaj Goricas, me dy golat e tij të parë në kampionatin elitar kroat të dielën.
Kur Daku u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë ia doli ta barazoi dy herë rezultatin ndaj Goricas, para se Loncar ta shënonte golin e triumfit për Osijekun në Gradski vrt.
Kjo ishte një fitore tejet e rëndësishme për Osijekun, pasi po vinte në këtë takim nga dy humbje dhe një barazim në tri ndeshjet e fundit në 1. HNL.
Daku i kishte bërë vetëm tri paraqitje si zëvendësues para këtij takimi por shpërthimi i tij me dy gola të dielën ndaj një rivali si Gorica mund t’ia ndërrojë mendjen trajnerit Nenad Blelica.
Ish-sulmuesi i Ballkanit në Superligën e Kosovës u fut në lojë në minutën e 67-të, në vend të Mierez.
Daku tani i ka 3 gola në 6 paraqitje në të gjitha garat për Osijekun, apo në vetëm 126 minuta lojë.
Me këtë fitore, Osijeku ndan kreun e tabelës në kampionatin kroat me Rijekan, me nga 17 pikë secila. /Gazeta Sinjali Sporti/