image Dajë e nip në pranga të Policisë për rastin tragjik të Liridona Murselit

Siguri

Dajë e nip në pranga të Policisë për rastin tragjik të Liridona Murselit

news image

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se personi i tretë i cili ra në prangat e Policisë së Kosovës për vrasjen e rëndë të 33-vjeçares, Liridona Murseli natën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë teksa po udhëtonte me burrin e saj Naim Murselin si dhe fëmijët, është Kushtrim Kokalla – pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kushtrim Kokalla është nipi i Naim Murselit. Po ashtu, Sinjali mësoi se Kushtrim Kokalla është vëllai i zyrtarit policor, Kanon Kokalla, i cili shërben në Policinë Rajonale në Gjakovë.

Deri më tani raportohet se Naim Murseli ka pranuar porosinë për vrasjen e gruas së tij, Liridonës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot gjatë ditës tha se është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, duke shtuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.

Për t’u rikthyer vetëm disa orë para arrestimit, Naim Murseli, i cili dyshohet se pagoi Granit Plavën me 30.000 euro për ta kryer vrasjen e gruas në sy të fëmijëve, u pa teksa merrte pjesë në varrimin e të ndjerës, ku priti e përcolli të afërmit që kishin ardhë për ngushëllime.

Pamje nga ceremonia e varrimit të Liridona Murselit
Pamje nga ceremonia e varrimit të Liridona Murselit

Pas arrestimit të Naimit, babai i tij Shaban Murseli njoftoi se për shkaqe familjare janë anuluar të pamet për Liridonën.

Sinjali nga burimet e veta merr vesh se Granit Plava, i cili dyshohet se u pagua nga Naim Murseli për kryerjen e vrasjes së rëndë është bashkëfshatar i këtij të fundit. Sinjali po ashtu mësoi se bazuar në dëshminë e të dyshuarit për vrasjen e Liridona Murselit, i njëjti është paguar nga bashkëshorti i saj me një shumë prej 30 mijë euro.

Këto janë vetëm detajet e para që janë zbuluar pas arrestimit të dy të dyshuarve dhe pritet të konfirmohen nga organet e rendit pasi të sigurohen provat e nevojshme.

Po ashtu, deri më tani nuk dihen shkaqet e kryerjes së këtij krimi që tronditi opinionin publik.

Naimi dhe Liridona kishin 12 vite të martuar, teksa në rrjete sociale viktima publikonte shpesh foto me Naimin, teksa në profilin e saj në Instagram shkruante se “Familja është gjithçka”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/