Ftesa që ka marrë Kosova për të marrë pjesë në takimin e fundit të Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet në kryeqytetin finlandez Helsinki, në fund të këtij muaji, e ka penguar shumë minsitrin e jashtëm të Serbisë Ivica Daçiq.
Kryediplomati serb nuk e ka fshehur nervozën ndaj përfaqësueses së Lartë e BE-së, Federica Mogherini, e cila ka vendosur që ta ftojë edhe Republikën e Kosovës në këtë takim, ku është ftuar edhe Bosnja e Hercegovina.
Ftesa për pjesëmarrje në këtë takim për vendet e Ballkanit Perëndimor edhe pse nuk janë vende kandidate është bërë për shkak të rëndësisë që do të kenë diskutimet për përparimin në bashkëpunimin rajonal.
Por pavarësisht rëndësisë së pjesëmarrjes në këtë forum, vetë prezenca e Kosovës në të e ka acaruar kryediplomatin serb,Daçiq, i cili ka thënë se krejt kjo është një lojë e Mogherinit.
“Në aspektin zyrtar kjo nuk do të cenojë pozicionin tonë parimor, pasi që do të theksohet vetëm emri i pjesëmarrësve pa shenja kombëtare. Në thelb, kjo ishte e panevojshme, sepse ka shumë takime në të cilat Kosova merr pjesë dhe që nuk ka nevojë”, ka thënë Daçiq, shkruan B92, transmeton Sinjali.
Ministri i jashtëm serb e ka pranuar se në këtë takim nuk do të mund të zhvillohet asnjë lloj diskutimi për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Atje nuk do të ketë dialog sepse takimet ndodhin çdo gjashtë muaj me ftesën e Presidencës së BE-së”, ka thënë ndër të tjera ai.
Shefi i diplomacise serbe në këtë kuadër ka thënë se pas kësaj ftese Kosova nuk do të mund të thotë se Mogherini s’ka bërë asgjë për Kosovën.
“ Prandaj ajo i ka ftuar. Më herët ajo i ftonte vetëm për dreka, ndërsa tani në takime zyrtare”, ka thënë Daçiq.
Daçiq ka thënë po ashtu se e tërë kjo situatë është një lojë që nuk do të sjell ndonjë përfitim, por vetëm dëme politike.