Ditë më parë një medium në Afrikën Qendrore ka zbuluar se si një agjent i Ivica Daciçit, i njohur me nofkën ‘Vlad’, ka blerë nga ministrja e Jashtme e Afrikës Qendrore për 340 mijë dollarë, letrën për çnjohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Një marrëveshje e tillë kishte ndodhur në Francë, në mes të muajit korrik të këtij viti. Më pas Daciç e kishte prezantuar para mediave në Serbi letrën e blerë nga Afrika Qendrore si arritje të diplomacisë serbe.
Megjithatë fushata agresive e Serbisë kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk ka shenja se mund të ndalet edhe përkundër presionit të ShBA’ve dhe thirrjes së fundit të vendeve të Quintit.
E një gjë e tillë duket se e ka vënë në lëvizje Washingtonin. Siç shkruan sot ‘srpski telegraf’, inteligjenca amerikane janë duke e përcjellë Ivica Dacicin për faktin se ai po udhëheq fushatën agresive kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Teksa citojnë burime diplomatike, shkruajnë se inteligjenca amerikane është duke u monitoruar nga afër secilën lëvizje të ministrit të Jashtëm të Serbisë.
Një vëzhgim i tillë i Dacicit nga shërbimet e inteligjencës amerikane, thuhet se po bëhet për të zbuluar personat që po lobojnë dhe shtetet eventuale të cilat po e përkrahin Serbinë në luftën kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Ata po testojnë gjithçka, sepse çdo informacion sado i vogël , mund të jetë i dobishëm. Ata janë duke hulumtuar kontakte dhe kanë komunikime të shumta për të marrë informacione se kush janë lobistët, çfarë metoda po përdor Serbia dhe nëse dikush po e ndihmon për të bindur vendet e treta” ka thënë ky burim diplomatik për ‘srpski telegraf’.
Në letrën e fundit të vendeve të Quintit drejtuar Kosovës dhe Serbisë, është kërkuar heqja e taksës nga Prishtina, dhe ndalja e fushatës agresive nga Beogradi kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës.