“Mos na detyroni ta mbrojmë veten dhe ne s’e sulmojmë askënd”, ka thënë ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiq, në një intervistë në Tv Pink, duke folur për çështjen e skadimit të afatit për riregjistrimin e targave në RKS.
Daçiq në linjë me narracionin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, tha se “nuk do të lejojmë pogrom” duke e përdorur si referencë vitin 2004, përkatësisht Trazirat e Marsit.
Përveç kësaj, Daçiq vlerëson se kryeministri kosovar s’bart asnjë pasojë nëse nuk përfill kërkesën e QUINT-it për shtyrje të afatit për dhjetë muaj.
“Mesazhi ynë është se do të bëjmë gjithçka për paqe, por sigurisht se do të bëjmë gjithçka për të ruajtur serbët – por cilat janë pasojat? Cila janë pasojat për Kurtin dhe Prishtinën nëse nuk pajtohen për shtyrjen e afatit për riregjstrimim? Kurti e di që nuk do të vuajë pasoja, ndryshe nga Serbia, e cila kërcënohet me ‘rrahje’”, ka thënë Daçiq.
Kryediplomati serb u shpreh se për Serbinë “është e domosdoshme” që të merr pjesë në dialog dhe të mos provokojë situata, “të cilat do t’i jepnin mundësinë dikujt të thotë se Serbia është faktor disruptiv”.
Pyetur rreth marrëdhënieve serbo-ruse, Daçiq u shpreh se Serbia do të mbrojë interesat e saj kombëtare.
Ivica Daçiq në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit ka udhëhequr fushatën kryesisht në tri zotime: “Kurrë në NATO, kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe kurrë njohjen e pavarësisë së Kosovës”.