Cristiano Ronaldo ka prekur zemrat e miliona tifozëve me një gjest të veçantë human gjatë vizitës së tij në Iran me skuadrën e Al Nassr.
Superylli portugez u takua me artisten iraniane Fatemeh Hamami, e cila, pavarësisht një aftësie të kufizuar të rëndë fizike, krijon portrete mbresëlënëse duke përdorur vetëm këmbët.
Hamami është një adhuruese e kahershme e Ronaldos dhe ka fituar famë ndërkombëtare falë talentit dhe vendosmërisë së saj. Mes veprave të saj artistike janë edhe disa portrete të realizuara për yllin portugez.
Takimi me idhullin e saj u kthye në një moment të paharrueshëm. Ronaldo e përshëndeti ngrohtësisht artisten, e komplimentoi për punën dhe talentin e saj, si dhe pranoi me mirënjohje dy portretet që ajo kishte realizuar për të.
Si shenjë mirënjohjeje, kapiteni i Portugalisë i dhuroi Fatemeh Hamamit një fanellë të Al Nassr me numrin 7, të nënshkruar prej tij. Ai kaloi edhe disa minuta duke biseduar me artisten, duke e bërë takimin edhe më emocionues.
Momenti është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku tifozët kanë vlerësuar gjestin e Ronaldos dhe respektin që ai tregoi ndaj artistes iraniane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!