image Cramon i reagon Grenellit: Pika kufitare në Merdar është ndërtuar nga BE-ja në vlerë 6 milionë euro - Sinjali

Cramon i reagon Grenellit: Pika kufitare në Merdar është ndërtuar nga BE-ja në vlerë 6 milionë euro

news image

Ish-i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, i cili po qëndron në Kosovë, ka thënë se pika kufitare në Merdar, është vënë në funksion si pjesë e Marrëveshjes së Washingtonit.

Në llogarinë e tij në Twitter, Grenell ka publikuar edhe fotografi duke kaluar te kufiri Merdar.

“Sot kalova kufirin me Kosovën Serbinë në Merdar. Donald Trump e vuri në funksionim këtë stacion të ri kalimi si pjesë e 4 Marrëveshjeve të Normalizimit Ekonomik”, shkroi ai.

Lidhur me këtë postim ka reaguar raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

Ajo tha se pikëkalimi kufitar është ndërtuar me 6 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të Bashkimit Evropian dhe jo të atyre amerikanë.

Në shkrimin e saj në Twitter, ajo ka ironizuar me idenë që Liqeni i Ujmanit të marrë emrin e Trumpit, duke thënë se në vend të kësaj do të ishte mirë që të investonin para.

“Do të ishte mirë nëse do të ishte e vërtetë. Pika CC Merdare u ndërtua nga 6 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së. Herën tjetër në vend që ta riemërtoni Liqenin e Ujmanit sillni edhe pak para”, tha Cramon./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin