image Cramon: Grenell në rifillim të dialogut deshi të anashkalojë BE-në dhe Qeverinë Kurti

Politikë

Cramon: Grenell në rifillim të dialogut deshi të anashkalojë BE-në dhe Qeverinë Kurti

news image

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka folur për qasjen e Richard Grenellit për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Cramon e ka quajtur qasjen e tij kritike sepse deshi të anashkalonte Bashkimin Evropian dhe ish-qeverinë Kurti.

Tutje, Cramon tha se kosovarët ka kohë që kanë merituar liberalizimin e vizave.

“Z. Grenell dëshironte të anashkalonte BE-në dhe qeverinë e dikurshme demokratike (Qeverinë Kurti v.j.). Nëse do të shikonit kohën dhe mënyrën e deklaratave të tij, nuk synonte të ndihmonte BE-në fare. Unë kam thënë që nëse duam stabilitet afatgjatë në rajon, do të na duhen edhe BE-ja dhe SHBA-ja, nuk mund t’i ndajmë ato dhe duhet të kemi një dialog, me BE-në në vendin e shoferit”, ka thënë Cramon për KP.

Ndryshe, Von Cramon e ka quajtur shumë të brishtë situatën politike në vend.

“Mund të them, se jam e lumtur që shoh që dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit po rifillon përsëri nga BE, dhe unë e di që zoti Hoti është shumë i përkushtuar për suksesin e dialogut. Është e vështirë të vlerësosh punën e tyre pas një kohe kaq të shkurtër; veçanërisht shumë çështje në Kosovë nuk mund të zgjidhen shpejt, siç janë korrupsioni, sundimi i ligjit, shëndetësia ose sistemi arsimor. Këto reforma kërkojnë kohë më të gjatë dhe ndryshime të thella, por unë kam plot shpresë se Qeveria e Hoti do të dëshmojë gatishmërinë e saj për të vepruar. Në situatën aktuale, ne shohim pothuajse numra shumë të lartë të rasteve me COVID 19”, ka thënë ajo. /Gazeta Sinjali/