COVID-19

Të infektuar

10988

Të shëruar

6616

Të vdekur

373

COVID-19 dhe dilema e vaksinimit të detyrueshëm

news image

Shkruan Xhezair Zaganjori

Dhoma e Madhe e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nën kryesinë e Presidentit të saj, Robert Spano, zhvilloi në Strasburg disa ditë më parë seancën dëgjimore për çështjen “Vavrick” dhe të tjerë kundër Republikës Çeke, e cila në thelbin e saj ka të bëjë me problemin e vaksinimit. Vendimi pritet të shpallet pas disa muajsh. Interesi është i jashtëzakonshëm për dy arsye. Së pari, ka shumë shtete, siç është rasti i Çekisë, ku vaksinimi parashikohet me ligj si i detyrueshëm. Për shkeljen e këtij detyrimi mund të vendosen edhe sanksione.

Ky qëndrim po kundërshtohet gjithnjë e më tepër me pretendimin se cenon veçanërisht jetën private, lirinë e ndërgjegjes dhe të drejtën prindërore, në një kohë që edhe numri i vaksinave shtohet nga viti në vit. Së dyti, siç dihet tashmë, pritet me padurim gjetja e formulës, prodhimi dhe fillimi në masë të gjerë e nivel global i vaksinimit kundër virusit COVID-19. Përgjithësisht po procedohet me fazën e tretë të provës, ku duhet të përfshihen dhjetëra mijëra individë dhe paralel me këtë fazë të fundit ose menjëherë pas saj edhe i ashtuquajturi proces final apo “gjykimi përmes sfidës njerëzore” (human challenge trial), përmes të cilit shihet dhe vlerësohet reagimi i organizmit të personit të vaksinuar, pasi t’i jetë bërë injektimi i virusit COVID-19.

Mbi të gjitha, vaksina do të ndihmojë njëkohësisht si në imunizimin e individit, ashtu edhe në arritjen e imunitetit të tufës (apo grupit), si element i rëndësishëm për të mposhtur në tërësi virusin COVID-19. Problemi qëndron, pra, te mënyra e veprimit të shteteve, që nuk e kanë të detyrueshëm me ligj vaksinimin, në një kohë që në rastin konkret vlerësohet se ai është më se i nevojshëm si në planin individual, ashtu edhe në interesin shoqëror. Këtu duhen shtuar edhe reagimet jo të pakta apo edhe “teoritë konspirative”, që bëjnë thirrje për të refuzuar masivisht vaksinimin kundër COVID-19. Kështu, për shembull, i pyetur për presionin e madh që bëhet aktualisht në Britani për të ndryshuar Aktin e Shëndetit Publik për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin, ministri britanik i Shëndetit Publik do të theksonte pak ditë më parë se momentalisht kjo nuk është e nevojshme, pasi besohet shume se pjesëmarrja në këtë proces do të jetë shumë e lartë.

Megjithatë, për t’u kthyer te problemi konkret, duhet theksuar se çështja e vaksinave edhe brenda Këshillit të Europës ka qenë objekt i diskutimeve të shumta dhe i qëndrimeve kontroverse jo vetëm brenda vetë kësaj organizate, por edhe në 47 shtetet anëtare të saj. Pa dyshim, që me shumë të drejtë vlerësohet kudo se në përgjithësi vaksinat janë ndër arritjet më të suksesshme të shkencës dhe ndër masat me efektive në fushën e mjekësisë, përmes së cilave çdo vit shpëtohen me miliona jetë njerëzore. Por, nga ana tjetër, ka edhe kundërshti, mungesë besimi apo hezitime të shumta për bërjen e vaksinës për vete apo për fëmijët, të cilat vijnë nga shkaqe të ndryshme e komplekse. Për këtë qëllim, në rastet kur vaksinimi është i detyrueshëm e jofakultativ, përmendet ndër të tjera fakti se në këtë mënyrë cenohet jeta private, liria e besimit apo e drejta prindërore për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, të garantuara respektivisht nga nenet 8 dhe 9 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe nga neni 2 i Protokollit 1 të kësaj Konvente. Nga ana tjetër, përmendet edhe Konventa e Oviedos e vitit 1997 me titull “Të Drejtat e Njeriut dhe Biomedicina”, me të cilën operon prej vitesh edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ndër të tjera, në këtë Konventë thuhet se “Interesat dhe shëndeti i çdo qenieje njerëzore prevalon mbi interesin e shoqërisë apo të shkencës” (neni 2), dhe se “Çdo ndërhyrje në fushën e shëndetit mund të bëhet vetëm nëse personi në fjalë është informuar dhe ka dhënë pëlqimin e tij të lirë për një gjë të tillë…. Ky person mund ta tërheqë në çdo kohë këtë pëlqim” (neni 5).

Megjithatë, hapësira e gjerë e vlerësimit në nivel kombëtar, tradita apo interpretimet e ndryshme të dispozitave të mësipërme, gërshetuar kjo edhe me interesin publik, kanë bërë që edhe brenda Këshillit të Europës shtetet të ndahen në tri grupe të mëdha: në shtete që me ligj imponojnë në çdo rast vaksinimin e detyrueshëm, të cilat paraqesin si argument kryesor faktin se tolerimi i një qëndrimi ndryshe rrezikon jo vetëm shëndetin individual, por edhe arritjen sa më shpejt të imunitetit të tufës, i cili është mjeti kryesor për të penguar përhapjen e sëmundjes infektive në popullsi; në shtete që imponojnë po me ligj vaksinimin vetëm për disa sëmundje të caktuara e të rënda infektive, duke e vënë si kusht këtë proces edhe me pranimin ose jo të fëmijëve në kopshte apo shkolla publike; dhe në shtetet që e lënë vaksinimin në dëshirën individuale të vetë personit apo të prindërve të fëmijës.

Vitet e fundit, debate e kundërshtime të shumta ka pasur veçanërisht në Francë, ku në mënyrë të menjëhershme, vaksinat e detyrueshme u bënë nga tri që ishin më parë, në njëmbëdhjetë. Shumë shpejt parashikohet që ky numër të rritet akoma më shumë. Për më tepër, në legjislacionin francez ka edhe sanksione penale për mosbërjen e vaksinimit të detyrueshëm, duke parashikuar dënime që fillojnë nga pagimi i një gjobe prej 3,750 Euro deri në gjashtë muaj heqje lirie. Në të kundërt me rastin francez, në vitin 2015 Gjermania tentoi të bënte të detyrueshëm vaksinimin vetëm për disa sëmundje infektive, si difteria, tetanosi, poliomieliti apo rubeola, por shpejt u hoq dorë nga ky projekt.

Në fakt, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen “Solomakhin” kundër Ukrainës të vitit 2015, justifikon qartësisht politikën e vaksinimit të detyrueshëm në Ukrainë. Ndër të tjera, në këtë vendim ajo thekson se “…vaksinimi i detyrueshëm konsiderohet ndërhyrje në jetën private. Megjithatë, kjo ndërhyrje parashikohet në ligj dhe ndjek qëllim të ligjshëm, që është mbrojtja e shëndetit……Për sa më sipër, ndërhyrja nuk është arbitrare dhe haptazi e paarsyeshme”, duke arritur kështu në konkluzionin se në këtë rast nuk kemi cenim të jetës private të kërkuesit, garantuar nga neni 8 KEDRNj

Por, me sa duket, për shkak të zhvillimeve spektakolare të viteve të fundit në fushën e Biomjekësisë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen Vavricka kundër Çekisë ka në konsideratë mundësinë e ndryshimit të jurisprudencës së saj në këtë drejtim, gjë që padyshim që do të ketë impakt edhe në 47 shtetet anëtare të Këshillit të Europës. Ky supozim bazohet në faktin se për çështjen në shqyrtim, Dhoma Normale e Gjykimit me shtatë gjyqtarë e bazon heqjen dore nga juridiksioni në favor të Dhomës së Madhe (me 17 gjyqtarë) në nenin 30 të Konventës, ku përcaktohet se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm në rastet kur çështja “… ngre një problem serioz që prek interpretimin e Konventës…”, ose kur vlerësohet se zgjidhja e saj mund të mos jetë në pajtim me jurisprudencën e mëparshme të kësaj Gjykate. Pikërisht për këto arsye, si rrallëherë në gjykimin e zhvilluar në GJEDRNj për çështjen “Vavricka kundër Çekisë”, ndërhynë me argumente në proces edhe përfaqësues të disa shteteve të tjera anëtare në Këshillin e Europës, konkretisht Gjermania, Franca, Polonia dhe Sllovakia, si edhe katër organizata shumë të njohura europiane në fushën e të drejtave të njeriut, mes të cilave edhe Qendra Europiane për Ligj dhe Drejtësi (ECLJ).

Në çështjen në gjykim (Vavricka dhe të tjerë kundër Çekisë), të gjashtë kërkuesit (gjashtë çifte prindërish), nuk i kanë vaksinuar fëmijët e tyre për arsye të ndryshme: në dy raste për shkak të besimit fetar; në dy raste të tjera për shkak të mosbesimit në efektshmërinë e vaksinave; në një rast për shkak se mendohet që vaksina duhet të bëhet në një moshë më të madhe sesa është planifikimi nga autoritetet e shëndetit publik; dhe në rastin e fundit për shkak të pretendimeve mbi problemet shëndetësore të fëmijës. Në të gjashtë rastet, autoritetet kanë vendosur edhe sanksionet respektive. Në një rast, sanksioni është vendosja e një gjobe, ndërsa në pesë rastet e tjera është ndalimi i dërgimit të fëmijëve respektivë në kopshte apo shkolla publike. Pas ezaurimit të mjeteve të brendshme dhe rrëzimit të kërkesave të tyre nga gjykatat çeke, ato iu drejtuan Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në seancën e zhvilluar në Dhomën e Madhe, avokati i gjashtë kërkuesve theksoi me forcë që në fillim të drejtën prindërore për të vendosur mbi vaksinimin ose jo të fëmijëve të tyre, si dhe faktin që sanksioni i vendosur në pesë raste ishte joproporcional dhe i palogjikshëm, pasi praktikisht dëmton vetëm fëmijët, duke mos i lejuar të shkojnë në kopshte apo shkolla publike. Ai vuri në dukje gjithashtu se shkencëtarët që promovojnë vaksinat ndodhen shpesh në konflikt interesi, pasi i bëjnë ato vetëm për përfitime personale. Sipas tij, kriza aktuale e Covid-19 dhe përpjekjet për gjetjen e vaksinës përmes një bashkëpunimi të ngushtë të industrisë farmaceutike me njerëzit e dijes për gjetjen e “konsensusit shkencor”, janë dëshmia më e qartë e këtyre interesave; që studimet e thelluara mbi nevojën e vaksinimit të detyruar mungojnë ose janë të pabazuara; se administrata shtetërore jeton nën “diktaturën” e ekspertëve, në një kohë që nuk janë të pakta rastet kur ato kanë gabuar mjaft rëndë në këtë drejtim, siç është rasti i sterilizimit të detyrueshëm; se bërja e vaksinës në një moshë shumë të vogël është e padobishme; se kompensimi për dëmet shëndetësore që mund të shkaktohen nga vaksinat, parashikuar për herë të parë me një ligj të veçantë të miratuar këtë vit (2020) në Çeki është mjaft i ndërlikuar, ka akses shumë të vështirë për njerëzit dhe parashikon shuma shumë të vogla kompensimi e të tjerë.

Përfaqësuesit e qeverisë çeke u përpoqën të mbrojnë deri në fund kërkesën ligjore të vaksinimit të detyrueshëm, si mjetin më të mirë për imunitetin individual dhe imunizimin e shoqërisë në tërësi. Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, justifikohet sipas rastit edhe vendosja e një gjobe prej rreth 370 eurosh ose moslejimi i pranimit të fëmijëve të pavaksinuar në shkollat publike, të cilat nuk janë dënime penale, por masa administrative për shkelje të vogla në fushën e kujdesit shëndetësor. Ai shtoi gjithashtu se politika qeveritare mbi vaksinat bazohet në mendimet që jep Komiteti Kombëtar Çek mbi Imunitetin dhe se këto mendime bazohen në rezultatet shkencore dhe konsensusin e përgjithshëm ndërkombëtar për këto çështje. Me këtë rast u theksua gjithashtu, që nuk është dhe nuk mund të jetë detyrë e Gjykatës së Strasburgut të vërë në dyshim rezultatet shkencore, mbi të cilat bazohet vaksinimi i detyrueshëm. Nga ana tjetër, ai vuri në dukje se janë pikërisht personat që refuzojnë vaksinimin ata që përbëjnë rrezik për shëndetin publik, pasi ata pengojnë arritjen e imunitetit të tufës, duke rrezikuar gjithashtu edhe jetën e personave që nuk vaksinohen.

Interesant është edhe deklarimi i tij se “Qeveria çeke nuk i detyron prindërit të vaksinojnë fëmijët, por thjesht vendos një gjobë apo një masë tjetër administrative, pa ndërmarrë asnjë veprim të mëtejshëm”. Prandaj, sipas përfaqësuesit të qeverisë, edhe moslejimi i regjistrimit të fëmijëve të pavaksinuar në kopshtet apo shkollat publike nuk ka natyrën e një sanksioni personal, por thjesht është një masë me natyrë mbrojtëse dhe me karakter të përgjithshëm. Ai vuri gjithashtu theksin në faktin që mjaft gjykata kushtetuese në Europë, si në Kroaci, Hungari, Sllovaki, Slloveni, në Francë (Këshilli Kushtetues Francez), në Çeki e të tjerë, kane dhënë vitet e fundit vendime të rëndësishme, përmes të cilave justifikojnë e nxisin politikat qeveritare mbi vaksinimin e detyrueshëm.

Së fundi, përfaqësuesit e qeverisë përmendën edhe ligjin e miratuar në prill të këtij viti nga Parlamenti çek, përmes të cilit personat që pretendojnë e provojnë dëmtime të shëndetit për shkak të vaksinës mund të kompensohen me një shumë të caktuar të hollash. Në fakt, ky argument vlerësohet se është një pikë e dobët e mbrojtjes së qeverisë, pasi indirekt e në mënyrë të heshtur pranohet që vaksinat mund të jenë edhe të dëmshme. Me sa duket, ky ndryshim ligjor ka marrë shkak nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Çeke i 27 janarit 2015, përmes të cilit, pavarësisht se mbështetet politika qeveritare për vaksinimin e detyrueshëm në emër të interesit publik apo “të mirës së përgjithshme”, theksohet nevoja e parashikimeve të sakta ligjore për kompensimin e mundshëm të dëmeve shëndetësore që mund të pësojnë persona të ndryshëm për shkak të vaksinës.

Si rrallëherë, pyetjet që u drejtuan palëve gjyqtarët e Dhomës së Madhe ishin të shumta. Sidoqoftë, pa dyshim që vendimi nuk do të jetë i lehtë. Strasburgut i duhet të eksplorojë e gjejë zgjidhje të reja dhe efektive, në kushtet e zhvillimit galopant të shkencës dhe teknologjisë moderne, si dhe të krizave e sëmundjeve njerëzore të panjohura më parë. Për këtë qëllim, ndër të tjera, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut i duhet të peshojë me kujdes çdo të drejtë apo interes që vihet në lojë në procesin e vaksinimit, në mënyrë që të krijohen mundësitë për të pajtuar sa më shumë ato të drejta që praktikisht konkurrojnë në këtë rast me njëra-tjetrën. Konkretisht, asaj i duhet të gjejë balancën e duhur ndërmjet shëndetit dhe interesit publik, si dhe detyrimeve pozitive të shtetit për garantimin sa më mirë të të drejtave themelore nga njëra anë, me integritetin fizik e moral të individit, të drejtën e jetës private, lirinë e ndërgjegjes dhe të drejtën prindërore nga ana tjetër. Le të presim. Shpallja e vendimit do të zgjasë disa muaj. Me sa duket, ajo do të përkojë edhe me problemet që mund të lindin nga fillimi i procesit të shumëpritur të vaksinimit kundër virusit COVID-19. /Gazeta Sinjali


Shpërndaje artikullin