image CNN shkarkon prezantuesin pasi që ndihmoi vëllain e tij që akuzohej për ngacmim

Botë

CNN shkarkon prezantuesin pasi që ndihmoi vëllain e tij që akuzohej për ngacmim

news image

Prezantuesi amerikan, Chris Cuomo, është shkarkuar nga CNN për ndihmën që i dha vëllait të tij, ish-guvernatorit të New York-ut, Andrew Cuomo, derisa ai po luftonte me akuzat për ngacmim.

Vendimi erdhi pasi CNN tha se informacione shtesë kishin dalë mbi shtrirjen e përfshirjes së Chris Cuomo në mbrojtjen e vëllait të tij.

Andrew Cuomo dha dorëheqjen në gusht pasi prokurorët thanë se ai kishte ngacmuar stafin.

Chris Cuomo, 51-vjeç, deklaroi se ai ishte i zhgënjyer, duke thënë se “nuk ishte ashtu siç dua që koha ime në CNN të përfundojë”.

Ai kishte punuar për rrjetin që nga viti 2013 dhe u bë një nga prezantuesit e tij më të njohur të lajmeve, dhe së fundi kryesoi mbulimin e CNN të zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës në ShBA.

Një deklaratë e CNN tha se një “firmë ligjore e respektuar” ishte punësuar për të hetuar përpjekjet e Chris Cuomo për të ndihmuar vëllain e tij politikan të luftojë akuzat për ngacmim seksual. Por, ndërkohë që po ndodhte ai rishikim, “informacione të reja kanë dalë në dritë” që çuan në përfundimin e kontratës së tij nga rrjeti, “efektive menjëherë”, raporton BCC, përcjell Gazeta Sinjali.

Chris Cuomo ishte pezulluar tashmë nga CNN të martën, pasi u zbulua shtrirja e përpjekjeve të tij në prapaskenë për të ndihmuar me skandalin.

Dokumentet e lëshuara nga Prokurorja e Përgjithshme e New York-ut, Letitia James, treguan se Cuomo i ushtronte presion vazhdimisht stafit të guvernatorit për ta lënë atë të luante një rol më të madh në mbrojtjen e vëllait të tij.

“Duhet të më besoni mua,” i dërgoi ai mesazh Melissa DeRosa, sekretares së vëllait të tij, në mars, duke shtuar: “Ne po bëjmë gabime që nuk mund t’i përballojmë”.

Ai gjithashtu u zotua të kontaktojë me media të tjera amerikane për t’u përpjekur të mësojë për akuza të tjera që do të vinin.

Shkarkimi i prezantuesit të yllit do të ngrejë pyetje serioze në lidhje me standardet gazetareske në ShBA. Korrespondenti i medias i CNN, Brian Stelter tha se “shikuesit duhet të jenë në gjendje të besojnë atë që po dëgjojnë këtu në televizion kur ne po mbulojmë një histori të ndjeshme, edhe nëse përfshin një anëtar të familjes së një kolegu”./GazetaSinjali/