Arabia Saudite ka dërguar disa paralajmërime në adresë të autoriteteve gjermane në lidhje me burrin që dyshohet se ka vrarë pesë persona dhe ka plagosur më shumë se 200 të tjerë në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg.
Sipas CNN, sauditët i kishin njoftuar autoritetet gjermane për individin, i identifikuar nga mediat gjermane si Taleb A. Njoftimet, të njohura si “Notes Verbal,” iu dërguan shërbimeve të inteligjencës gjermane, me një prej tyre drejtuar ministrisë së jashtme të vendit. Të gjitha paralajmërimet ishin injoruar.
Ankesat ndaj burrit kishin të bënin me përpjekjet e tij për të “joshur” sauditët të largoheshin nga vendi dhe feja e tyre. Burimi shtoi se Arabia Saudite ishte e vetëdijshme për “pikëpamjet mjaft radikale” të tij.
Paralajmërimi i parë ka ardhur në vitin 2007 dhe ka qenë i lidhur me shqetësimet e autoriteteve saudite se Taleb A. kishte shprehur pikëpamje radikale të llojeve të ndryshme.
Refuzimi i kërkesës për ekstradim: Arabia Saudite e konsideronte atë një të arratisur dhe ka kërkuar ekstradimin e tij nga Gjermania mes viteve 2007 dhe 2008, duke shtuar se autoritetet gjermane e refuzuan, duke përmendur shqetësimet për sigurinë e tij në rast se do të kthehej.
Autoritetet saudite pretenduan se burri kishte ngacmuar sauditët jashtë vendit që kundërshtonin pikëpamjet e tij politike. Ata gjithashtu theksuan se ai ishte bërë mbështetës i partisë ekstreme të djathtë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD), dhe kishte zhvilluar pikëpamje radikale anti-islamike, tha burimi.
I dyshuari, një psikiatër 50-vjeçar që ka jetuar në Gjermani për gati dy dekada, u arrestua në vendin e ngjarjes pas sulmit tre minutësh në qytetin qendror që tronditi vendin.
Shoferi përdori pikë daljeje emergjente për të manovruar ngadalë mjetin drejt tregut, para se të shtonte shpejtësinë dhe të përplasej në turmë.
Mes viktimave ishte një fëmijë në moshën nëntë vjeç dhe katër të rritur, tha zyrtari i qytetit të Magdeburgut, Ronni Krug, duke shtuar se rreth 41 të plagosurit kishin lëndime serioze ose kritike.
“Nuk di çfarë mendoni ju, por unë e lidh tregun e Krishtlindjeve me verën e ngrohtë dhe bratwurstin, dhe dje njerëz vdiqën në këtë zonë. Të tjerë po luftojnë për jetën e tyre,” tha Krug.