image Clinton për presidencën dhe për romanin e tij të ri

Libra

Clinton për presidencën dhe për romanin e tij të ri

news image

Çfarë ndodh kur bashkëshorti i presidentes vendoset në bankën e të akuzuarit për vrasje? Kjo është dilema në zemër të bashkëpunimit më të ri ndërmjet ish-presidentit amerikan Bill Clinton dhe mjeshtrit të trilerit, James Patterson: romani Zotëria i Parë [The First Gentleman]. Është një histori që vetëm këta të dy mund ta kishin krijuar, pas suksesit të madh të librave të tyre të mëparshëm: Presidenti mungon [The President Is Missing, 2018], me mbi tre milionë kopje të shitura, dhe Vajza e presidentit [The President’s Daughter, 2021]. Patterson është një ndër emrat më të mëdhenj në botën e trilerit (me mbi 230 milionë libra të shitur globalisht), por siç i tha Clinton, BBC-së, “ishte thjesht një aventurë në pleqëri” kur bashkëpunuan për herë të parë. Dhe, bëhet e qartë, kur i sheh teksa flasin së bashku, sa shumë kënaqësi vazhdojnë të marrin nga kjo përvojë.

Romani i tyre i ri dhe intrigues sillet rreth presidentes së ShBA-së, Madeline Wright, dhe bashkëshortit të saj, Cole Wright, një ish-yll i futbollit amerikan. Ai ende mban plagët e karrierës së tij sportive dhe është në kërkim të një qëllimi të ri në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa përpiqet të pastrojë emrin në një gjyq për vrasjen e një lidereje të tifozëve që kishte ndodhur më shumë se 20 vjet më parë. Libri është përzierje klasike mes një hetimi policor dhe dramës gjyqësore, ndërsa gazetarët, detektivët dhe akterët politikë punojnë për të zbuluar të vërtetën rreth vrasjes së tifozes – për të shfajësuar Zotërinë e Parë, ose për ta shkatërruar atë dhe agjendën politike të bashkëshortes së tij. Dhe, natyrisht, roli i Zotërisë së Parë është i tillë që vetë presidenti Clinton do ta kishte përjetuar nëse gruaja e tij, Hillary Clinton, do të kishte fituar zgjedhjet e vitit 2016 kundër presidentit Donald Trump.

Është e qartë që përvoja presidenciale vazhdon ta ndjekë Clintonin edhe në shkrim. “Ka pasur raste në Shtëpinë e Bardhë, jo vetëm kur republikanët po përpiqeshin të më shkarkonin, por edhe kur po përballeshim me çështje shumë të vështira dhe kontroverse, kur ndihesha – në sytë e atyre që më mbulonin në media – më shumë si një pjesë e një narrative sesa si një histori e vetme. Ne po përpiqemi të sjellim gjithçka nga ajo përvojë.”

Megjithatë, ndryshe nga sa mund të pritej, libri nuk e vendos çiftin presidencial në qendër të rrëfimit, por dy gazetarë. Brea Cooke, gazetare e pavarur hulumtuese dhe avokate, së bashku me partnerin e saj Garrett Wilson, hetojnë zhdukjen e Suzanne Bonannos, tifozes të cilën  Cole Wright e kishte njohur kur ai luante për ekipin New England Patriots, 17 vjet më parë. Duket se Wright mund ta ketë vrarë atë, ndërsa Cooke dhe Wilson zbërthejnë atë që ndodhi me të vërtetë dhe përpiqen të zbulojnë se ku ndodhet trupi i saj. Të frymëzuar nga një dyshe ikonike si Bob Woodward dhe Carl Bernstein, Patterson thotë se është krejt e natyrshme që gazetarët të jenë në qendër të romanit: “Gazetarët ndonjëherë marrin atë që meritojnë, por shumica e tyre duan të shkojnë pas së vërtetës … Kjo është ajo që ne duam që gazetarët të bëjnë.”

Clinton, i cili ka pasur përplasje me gazetarët që kishin prirje për teori konspirative, pajtohet se edhe në një epokë të animit të zjarrtë për një parti, gazetarët e ndershëm do të kenë sukses: “Ende mendoj se është e rëndësishme të jesh ai person që del në pah dhe thotë të vërtetën – edhe nëse kjo do të thotë: ‘Kam gabuar, por ja çfarë mendoj se është e vërteta.’” Dhe, kur historia të shndërrohet në një film nga Holivudi (të drejtat janë shitur dhe skenari po shkruhet nga Steven Knight i Peaky Blinders), ka gjasa që gjasë Brea Cooke do të jetë personazhi kryesor – gazetarja që gërmon për të gjetur të vërtetën.

Por, Zotëria i Parë nuk është thjesht një dramë gjyqësore. Është, me shumë gjasa, trileri i parë në histori që ka si pjesë qendrore të ngjarjes një marrëveshje të madhe për borxhin dhe shpenzimet federale të ShBA-së. Pa zbuluar fundin, mjafton të themi se presidentja Wright paraqet një plan për të zgjidhur çështjen e shpenzimeve të programeve sociale dhe për të balancuar buxhetin. Ky libër del në të njëjtën kohë kur Donald Trump dhe Partia Republikane po paraqesin planet e tyre. A mund të funksionojë propozimi i presidentes Wright? Patterson bën shaka: “Kemi një projektligj të madh e të bukur në librin tonë.”

Futja e informacionit me vlerë është pjesë e mënyrës si e konceptojnë këta dy autorë lidhjen me lexuesin, thotë Clinton: “Mendoj se njerëzit nuk kanë asgjë kundër që të mësojnë diçka të vlefshme, ndërkohë që shijojnë një rrëfim vërtet të mirë.” Në librin e tyre të parë ishte siguria kibernetike; tani është negociata për buxhetin.

Dhe, në këtë bashkëpunim të tretë, çfarë kanë mësuar nga njëri-tjetri? Për Pattersonin, gjithçka ka të bëjë me kërkimin dhe autenticitetin, dhe pas përfundimit të kujtimeve të tij të fundit, ai është përqendruar më shumë në “përkushtimin më të madh ndaj fjalive … Mendoj se jam më i mirë se kurrë më parë, mes ruajtjes së realitetit dhe vetëdijes për strukturën e shkrimit.”

Por, edhe për këtë dyshe me përvojë, versionet e para të librit ishin të vështira. Patterson pranoi: “Në fillim ishte rrëmujë, për të qenë i sinqertë – gjë që s’na kishte ndodhur më parë. Nuk kishim ndërtuar ende figurën e presidentes, dhe personazhet nuk ishin siç duhet. Gazetarët nuk ishin të mirë. E dinim përafërsisht historinë, por personazhet ishin krejt gabim.” Dhe, pastaj Clinton e telefonoi një natë për t’i thënë: “Kam një problem të vërtetë. Nuk më bëhet vonë për asnjërin nga këta njerëz.” Kështu që ata shtuan thellësi dhe skena që i jepnin jetë personazheve.

Sado bashkëpunues dhe të ngrohtë që janë, ata janë gjithashtu të bashkuar nga një botëkuptim i përbashkët. Patterson e përshkruan kështu: “Një nga gjërat që kemi të përbashkëta është mënyra si e shohim botën – jo bardh e zi. Gjithçka është e ndërlikuar. Është delikate. Ka nuanca. Dhe, mendoj se kjo është arsyeja pse mund të punojmë kaq mirë bashkë.”

Dhe, në fund, ajo që e shtyn këtë roman drejt përfundimit të tij të papritur është ndjenja e detyrës. A do të veprojë presidentja në mënyrë të drejt me bashkëshortin dhe me vendin? Për Clintonin, jehona është e qartë: “Një gjë për të cilën di diçka: kur pala tjetër të shpall luftë në Shtëpinë e Bardhë, ti prapë duhet të paraqitesh dhe të kryesh punën”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/