Pas zhbllokimit të dy pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, largimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe barrikadave, mediat botërore kanë shkruar lidhur me këto zhvillime.
Disa nga mediat botërore që i kanë kushtuar vëmendje janë: Reuters, Euronews, France 24, Al Jazeera dhe Frankfurter Allgemeine Zeitung.
“Serbët heqin pengesat rrugore në Kosovë ndërsa, NATO lëviz për t’iu dhënë fund tensioneve”, ishte titulli i agjencisë Reuters.
“Kalimi kufitar i Kosovës me Serbinë u rihap të shtunën derisa serbët hoqën kamionët, ndërkohë trupat e NATO-s u zhvendosën në veri në kuadër të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje midis vendeve fqinje për targat e makinave”
“Forcat speciale të policisë së Kosovës u tërhoqën nga pika kufitare në veri të vendit gati dy javë pasi serbët bllokuan rrugët për të protestuar kundër vendimit të Kosovës për të futur targa të përkohshme për të gjitha makinat nga Serbia”, raporton tutje Reuters.
“Misioni i drejtuar nga NATO në kufirin Kosovë-Serbi pas marrëveshjes për zbutjen e tensioneve”, ishte titulli i Euronews.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO mori të shtunën zonën pranë dy vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi pas një marrëveshjeje të arritur nga të dy vendet që synonte uljen e tensioneve të shkaktuar nga një mosmarrëveshje mbi targat e automjeteve”, shkruhet në artikullin e Euronews.
“Barrikadat në kufirin Kosovë-Serbi u çmontuan”, kështu u titullua shkrimi në gazetën francez France 24.
“Serbët e Kosovës hoqën të shtunën makinat që kishin pozicionuar për të bllokuar rrugët që dërgon në kufirin me Serbinë, pasi Beogradi dhe Prishtina ranë dakord t’iu japin fund tensioneve”, raporton France 24.
Kurse Al Jazeera ka shkruar se “Kosova dhe Serbia bien dakord për marrëveshjen për t’i dhënë fund tensioneve kufitare”.
Ndërkaq, agjencia gjermane e lajmeve Frankfurter Allgemeine Zeitung, njofton se “Kosova dhe Serbia lirojnë pikat e bllokuara kufitare” .
“Serbia dhe Kosova kanë rihapur kalimet e bllokuara kufitare pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes lidhur me targat. Makinat dhe kamionët që kishin bllokuar rrugët për në kufi prej ditësh u larguan”, njofton FAZ.