image Çka i thanë pesëshja diplomatike në Beograd, Vuçiq “rrëfehet” në Kuvendin e Serbisë

Politikë

Çka i thanë pesëshja diplomatike në Beograd, Vuçiq “rrëfehet” në Kuvendin e Serbisë

news image

Deputetët e Kuvendit të Serbisë sot po diskutojnë për çështjen e Kosovës, në një seancë në të cilën po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Diskutimi vjen në një kohë kur situata për një marrëveshje me Kosovën, nën presionin e Perëndimit, po ndërlikohet dhe një nga temat është i ashtuquajturi plan franko-gjerman.

Vuçiq, ka thënë sot se qëllimi i seancës parlamentare në të cilën po merr pjesë nuk është të bartë përgjegjësinë te parlamenti dhe qytetarët, por të thotë hapur si president se cilat janë sfidat para Serbisë dhe çfarë ka në lidhje me një marrëveshje me Kosovën, bazuar në planin franko-gjerman.

“Unë vij nga ndjenja e detyrës për të thënë atë që po ndodh, në mënyrë që qytetarët të vlerësojnë pasojat e veprimeve tona dhe për çfarë po luftojmë. Do të theksoj të gjitha pikat më të këqija të nismës franko-gjermane dhe nuk do të fsheh asgjë, sepse dua të jem i përgjegjshëm dhe i ndershëm”, tha Vuçiq para deputetëve.

Ai shtoi se në lidhje me planin franko-gjerman “do të ketë kohë për vendime”, dhe se nuk duhet të prezantojë të gjithë planin, por se do të prezantojë atë “çka është më e keqja për Serbinë”.

Me tone dramatike, Vuçiq tha se Serbia është në një moment të vështirë dhe delikat dhe se duhet të ruhet paqja dhe siguria e popullit serb në Kosovë.

Vuçiq  tha se Serbia do të vazhdojë të negociojë për çdo propozim, madje edhe më të keqin për Kosovën, sepse nuk duhet të përsërisë përvojat e këqija nga e kaluara.

Ai në  Kuvend tha se nuk mendon se dikush do ta bombardojë Serbinë, por se Serbia do të izolohet dhe nuk do të ketë qasje në asnjë fond, si dhe se nuk do të ketë aleatë.

Ai prezantoi dhjetë pika që do të menaxhohen në periudhën e ardhshme, të cilat jo të gjitha kanë të bëjnë me Kosovën, por edhe me zhvillimin e Serbisë në përgjithësi.

Si pikë të parë, ai deklaroi se “paqja dhe stabiliteti duhet të ruhen me çdo mjet dhe me çdo kusht”, pika e dytë ishte të ngulmonin në formimin e Asociacionit, dhe si pikë të tretë deklaroi sigurinë për serbët në Kosovë.

Si pikë të katërt të planit, ai theksoi një jetë më të mirë për popullin dhe si të pestën se Serbia do të negociojë.

“Ndryshe nga ata që duan të bërtasin parulla dhe të bëhen heronj në kurriz të dikujt tjetër, unë thashë se Serbia do të negociojë edhe për letrat më të këqija, sepse nuk ka të drejtë të përsërisë përvojat e së kaluarës”, tha Vuçiq, duke iu referuar Rambujesë dhe negociatave në Vjenë më 1999.

Vuçiq: Problemi më i madh është paragrafi katër për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Vuçiq tha se 90 për qind e asaj që u bë publike në lidhje me planin franko-gjerman ishte e vërtetë.

Ai ka thënë se pika shumë më e rrezikshme për Serbinë është neni katër, paragrafi dy, ku thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Është e imja të mbroj të ardhmen e këtij vendi dhe unë do ta bëj këtë, dhe ju që flisni për kapitalizëm, nëse bëhet fjalë për “Kosovën në OKB apo jo”, ndryshe nga ju, për mua si president i Serbisë, Kushtetuta është e shenjtë, kapitullimi dhe dorëzimi nuk është opsion. Mes qëndrimit në pushtet për një mandat që nuk mund ta shkurtoni, unë e di se çfarë duhet të bëj – nuk ka zgjedhje mes Vuçiqit apo Serbisë, Vuçiqi është në anën e Serbisë. .” përfundoi presidenti

Siç theksoi ai, plani propozon disa zgjidhje të mira, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me çështje ekonomike dhe shkencore dhe që rregullojnë statusin e diplomave.

Ai po ashtu tha se është rënë dakord që të vazhdohet me atë që është obligim nga Marrëveshja e Brukselit, që është Asociacionit.

“Siç e shihni shqiptarët nuk duan ta zbatojnë. Nuk mund të jetë modeli i një OJQ-je. Duhet të jetë ajo që është nënshkruar në Bruksel. Jam i shqetësuar se do të përpiqen të rinegociojnë për të mos reduktuar juridiksionin e Asociacionit, dhe kjo do të jetë shkaku dhe arsyeja e problemeve të reja”, tha Vuçiq.

Çfarë i thanë pesë përfaqësuesit  ndërkombëtarë Vuçiqit në takim?

Vuçiq tha se Serbia mori një dokument paksa të modifikuar të propozimit franko-gjerman më 4 dhjetor.

“Pavarësisht gjithçkaje që kemi dorëzuar, ata vijnë dhe thonë – Shpresoj ta kuptoni President, ne jemi të vendosur t’i zgjidhim këto probleme”, citon ai ti ketë thënë pesëshja ndërkombëtare.

“Edhe pse e mohojnë, janë çdo ditë në luftë dhe nuk do të lejojnë një përshkallëzim të ri diku në Ballkan. Prandaj e prisja me ankth takimin. Pastaj në fjalinë e tretë njoftuan – i nderuar president, nëse punohet në këtë iniciativë dhe nëse ajo nuk zbatohet, do të përballeni, me  nën një – ndalimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, nën dy – jo vetëm pengimin e ardhjes së investimeve të mëtejshme nga bota perëndimore, por edhe me tërheqjen e investimeve nga vendin tuaj, dhe nën tre – me masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se si duhet të kalojnë ata që nuk janë dakord me BE-në. Kjo është përsëritur në dy raste. Unë madje e kam quajtur kërcënim. Kam luftuar për Serbinë”, ka thënë Vuçiq.

/GazetaSinjali/