image Çfarë është sistemi ETIAS që po ndërlidhet me heqjen e vizave

Politikë

Çfarë është sistemi ETIAS që po ndërlidhet me heqjen e vizave

news image

Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), është sistem i krijuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të mbrojtjes dhe forcimit të kufijve. Qëllimi i tij është identifikimi i rreziqeve dhe i kërcënimeve që lidhen me turistët që udhëtojnë në cilindo shtet të zonës Schengen.

Autorizimi i ETIAS-it do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori i 2023-s, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. Ky sistem do të bëhet kërkesë e detyrueshme hyrjeje.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë, zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje prej kohësh për menaxhim më të mirë të njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.

Përmes këtij sistemi për autorizim të udhëtimit do të mblidhen dhe do të përditësohen informacionet e nevojshme për të vërtetuar se një person nuk përbën kërcënim për sigurinë.

Ky sistem është krejtësisht elektronik, që mundëson marrjen e informacioneve për banorët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Zonën Schengen.

Ky sistem është i ngjashëm me sistemin amerikan ESTA, që shërben për qëllime të njëjta.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.

Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

/GazetaSinjali/