Në orët e vona të pasdites së sotme, Përfaqësuesi i Lartë për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në Bashkimin Evropian, Jossepp Borrell ka njoftuar se janë dërguar forca shtesë në Kosovë për të garantuar sundim të ligjit.
Ai bëri të ditur se policë të Forcës Evropian të Xhandarmërisë, tashmë kanë zbarkuar në Kosovë.
Forca Evropiane e Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) është forcë operacionale që mund të dislokohet me shpejtësi për intervenime, që përbëhet nga elemente të forcave policore evropiane dhe që ka status ushtarak për të kryer të gjitha operacionet policore në situata kur kërkohet menaxhim i krizave.
Kjo forcë është themeluar në vitin 2006 me vendimin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian: Franca, Italia, Holanda, Portugalia dhe Spanja, ndërkaq Rumania i është bashkuar në vitin 2009 dhe Polonia në vitin 2011. Zyrat e saj qendrore janë në Vicenza të Italisë.
Megjithëse nuk është themeluar në nivel të Bashkimit Evropian si institucion, kjo forcë mund të aktivizohet si forcë multinacionale në pajtim me nenin 42.3 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian.
Borrell, në njoftimin e tij, duke e arsyetuar dërgimin e kësaj force, situatën në Kosovë e konsideroi të tensionuar.
Ai ka shkruar se EULEX mbetet i përkushtuar për stabilitet në Kosovë.
“Në këto kohëra të tensionuara në Kosovë, misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit EULEX përmbush detyrën që ka për të garantuar stabilitet: Forca Evropiane e Xhandarmërisë, pjesë e Karabinierëve, zbarkoi sonte që përkohësisht ta përforcojë Njësinë Policore të EULEX-it në Kosovë. EULEX do të vazhdojë që ta mbështesë një ambient të sigurt”, ka shkruar Borrell.