image Çka duhet të dini për Escherichia Coli, bakteria që u gjet në lokalin ku dyshohet se u helmua gruaja nga Truda

Shëndetësi

Çka duhet të dini për Escherichia Coli, bakteria që u gjet në lokalin ku dyshohet se u helmua gruaja nga Truda

news image

Një grua ka ndërruar jetë të hënën në QKUK e për vdekjen e saj, familja po e fajëson restorantin, ku e ndjera kishte ngrënë ushqim. Helmimin e viktimës, H.Sh., e edhe vdekjen pastaj, dyshohet që e shkaktoi dreka që e kishte ngrënë në një të pame në Trudë të Prishtinës.

Për këtë rast, Policia e Kosovës, ka nisur hetimet. Ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë mostrat nga restoranti, ku është gjetur bakteria vdekjeprurëse Escherichia Coli.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë për Gazetën Sinjali se personat e helmuar kanë konsumuar, mish të kuq, mish të bardhë, pleskavicë me sos dhe sallatë mikse.

Por çfarë duhet të dimë për E.colin dhe sa mund të jetë i rrezikshëm ky bakter?

Sipas OBSh-së, Escherichia coli, është një lloj i bakterit që zakonisht gjendet në zorrët e kafshëve me gjak të ngrohtë.

Ky bakter bartet te njerëzit përmes konsumit të ushqimeve të cilat janë të kontaminuara, si produktet e mishit të bluar të papërpunuar ose të pazier, qumështit të papërpunuar dhe perimeve të papërpunuara e të kontaminuar.

E.Coli mund të gjendet edhe në ujë. Por kryesisht gjendet në ujërat e zeza.

Mbeturinat mund të hyjnë në ujë përmes mënyrave të ndryshme, duke përfshirë tejmbushjen e ujërave të zeza, sistemet e ujërave të zeza që nuk funksionojnë siç duhet, rrjedhjet bujqësore, e hedhjen e mbeturinave shtazore.

Të padëmshme konsiderohen sumë prej llojeve të këtij bakteri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Megjithëse, disa lloje të tij thuhet se mund të shkaktojnë sëmundje të rënda.

Nga këto simptoma mund ta kuptoni se jeni të helmuar me bakterin E.coli

Simptomat më të shpeshta nga Escherchia Coli janë dhimbja e barkut, diarreja, temperatura e të vjellat.

Sipas OBSh-së, shumica e pacientëve shërohen brenda 10 ditësh, por në një pjesë e vogël të pacientëve (veçanërisht fëmijë të vegjël dhe të moshuar), infeksioni mund të çojë në një sëmundje të rrezikshme për jetën, siç është sindroma hemolitike uraemike (HUS). HUS karakterizohet nga insuficiencë renale akute, anemi hemolitike dhe trombocitopeni (trombocite të ulëta të gjakut).

Simptoma më pak të zakonshme përfshijnë vjelljen dhe temperaturën e ultë. Shumica e të rriturve të shëndetshëm shërohen nga një infeksion  plotësisht pas rreth një jave.

Simptomat e të infektuarve zakonisht shfaqen brenda 2 deri në 4 dite, por mund të zgjasin deri në 8 ditë.

Shumë prej të helmuarve mund të shërohen edhe pa antibiotik apo ndonjë trajtim specifik.

Njerëzit preferohet që të vlojnë ujin e pijshëm dhe më pas të lejojnë që uji të ftohet para se ta përdorin ose ta ruajnë atë në një enë të pastër, të mbyllur për përdorim të mëvonshëm.

/GazetaSinjali/