Kryeministri në largim që po e synon përsëri postin e shefit të qeverisë, Ramush Haradinaj, e ka lavdëruar cilësinë e arsimit në Kosovë, në ditën e parë të vitit të ri shkollor.
Kryetari i AAK-së sot e ka përcjellë për në shkollë të mesme të lartë, djalin e tij, Gjinin. Megjithatë, për ta shkolluar djalin, Haradinaj ka zgjedhur një gjimnaz privat, ndonëse ka thënë se janë shënuar të arritura në ngritjen e cilësisë së arsimit në vend, shkruan Sinjali.
“Në ditën e parë të shkollës për këtë vit, krah Gjinit, i cili po e nisë një etapë të re të edukimit në Gjimnazin “Loyola”. Kemi shënuar të arritura në ngritjen e cilësisë së arsimit në vend, avancim në planprograme dhe infrastrukturë moderne dhe pandalshëm do të punojmë që shkolla jonë të jetë e modelit dhe standardeve europiane. Urime fëmijëve që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës dhe punë të mbarë mësimdhënësve si bashkëudhëtarë në rrugën e dijes. Gjinit dhe të gjithë nxënësve kudo në Kosovë u priftë e mbara në këtë vit të ri shkollor”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Për cilësinë e arsimit, Haradinajn e demanton vendimi i 15 korrikut i Këshillit Shtetëror të Cilësisë. KSHC kishte vendosur të mos i akreditojë tri universitete publike dhe disa kolegje private për shkak se nuk i kishin përmbushur kriteret bazike të cilësisë.
Vendimin e KSHC-së Haradinaj e kishte quajtur të papranueshën, derisa këtë Këshill e kishte quajtur grup mafioz. /Sinjali