Përmes agresionit të saj ndaj Ukrainës, Federata Ruse ka shkelur një sërë ligjesh, traktatesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare.
Mbi të gjitha, ajo ka minuar parime themelore të së drejtës ndërkombëtare që kanë qenë në fuqi që pas Luftës së Dytë Botërore. Përmes agresionit ushtarak dhe kërcënimit bërthamor, Vladimir Putin po tenton të rishkruajë edhe historinë e së drejtës ndërkombëtare.
Cilat ligje dhe marrëveshje ka shkelur Rusia duke hyrë në luftë me Ukrainën?
Lista paraqitet e gjatë, por disa prej tyre janë më evidente se të tjerat. Më së pari, përmes shkeljes së sovranitetit të një shteti tjetër, Federata Ruse ka shkelur dispozitën themeltare të Kartës së Kombeve të Bashkuara, e cila përfaqëson dokumentin themelues të OKB-së. Është për t’u theksuar se ky dokument u nënshkrua në vitin 1945, fill pas Luftës II Botërore.
Një marrëveshje e rëndësishme që Putini ka asgjësuar, që me sulmin e tij të parë ndaj Ukrainës në vitin 2014, ka të bëjë me Memorandumin e Budapestit, ku Federata Ruse dhe vendet e ish-Bllokut Sovjetik – Bjellorusia, Kazakistani dhe Ukraina – nënshkruan marrëveshje për integritetin territorial të këtyre vendeve në këmbim të dorëzimit të armëve bërthamore të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik. Kjo marrëveshje ndoqi Akordet e Masandrës, ku katër marrëveshje ishin arritur ndërmjet Ukrainës dhe Federatës Ruse në vitin 1993, për atë që në thelb ishte e njëjta çështje.
Gjithashtu, me mësymjen e saj për pushtimin e Ukrainës, Rusia ka shkelur edhe Marrëveshjet e Minskut (2014, 2015), të cilat në thelb synonin një armëpushim, por pa i dhënë një zgjidhje përfundimtare konfliktit në rajonin e Donbasit. Pas dështimit të marrëveshjes së parë, u arrit marrëveshja Minsk II, e cila nuk u zbatua tërësisht, kryesisht për shkak të sabotimit të vazhdueshëm nga separatistët rusë.
Më 22 shkurt të këtij viti, një ditë pas njohjes së pavarësisë së Luhanskut dhe Doneskut, Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se marrëveshjet në fjalë “nuk ekzistojnë më”.
Njohja e pavarësisë së dy rajoneve separatiste në Ukrainë nga Rusia, gjithashtu përbën një shkelje të ligjit ndërkombëtar. Madje Këshilli i Europës deklaroi se me këtë veprim, Rusia ka shkelur edhe statutin e këtij institucioni. Disa kanë shtruar pyetjen se përse Rusia vazhdon të jetë pjesë e KiE-së pavarësisht shkeljes së rëndë. Ky institucion sakaq e ka pezulluar pjesëmarrjen e Rusisë në Komitetin e Ministrave dhe në Asamblenë e KiE-së.
Po ashtu, një sërë marrëveshjesh dhe traktatesh të tjera mund të jenë shkelur në mënyrë të njëanshme nga Federata Ruse në aventurën e saj të fundit ushtarake, por këto mbeten ndër më kryesoret.
Kush arbitron dhe merr masa në këto raste?
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara konsiderohet si institucioni më i rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë. Në thelb, asnjë vend nuk mund të hyjë në luftë me një tjetër pa aprovimin e Këshillit të Sigurimit, i cili gjithsesi do të jepej vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.
Por këtu ka një problem. Këshilli përfshin një anëtarësi të përhershme prej pesë vendesh që dolën fitimtare nga Lufta II Botërore: Shtetet e Bashkuara, Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia. Duke qenë se secili anëtar ka të drejtën e vetos për të ndalur çdo rezolutë të mundshme të Këshillit, mund të thuhet që ky institucion i ka duart e lidhura.
Për referencë, mund të kujtohen vetot e përsëritura të SHBA-së kundër tentativave në Këshill për të dënuar veprimet e Izraelit ndaj palestinezëve.
Ironikisht, për shkak të një sistemi rotacioni mbi kryesinë e Këshillit, Rusia mban aktualisht presidencën e organit më të lartë që përgjigjet për paqen në botë.
Kjo nuk do të thotë se OKB është krejt e pafuqishme ndaj ndëshkimit të agresionit rus. Disa ekspertë ligjorë ndërkombëtarë kanë vënë në dukje se ekzistojnë një sërë masash që mund të merren nga struktura të tjera të OKB-së.
Një shembull është ai i Afrikës së Jugut gjatë regjimit të aparteidit, kur nuk mbeti praktikisht asnjë organ i Kombeve të Bashkuara pa vendosur ndonjë masë përjashtuese apo dënuese ndaj ish-shtetit racist, duke shkaktuar kështu izolimin e Afrikës së Jugut nga bashkësia ndërkombëtare. Në këtë pikë, sytë janë kthyer nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
A ka institucione të tjera që mund të veprojnë?
Përveç Bashkimit Europian, i cili ka ndërmarrë një sërë sanksionesh të ashpra ndaj Federatës Ruse, si dhe të sanksioneve individuale të vendeve të ndryshme, ekzistojnë disa institucione të tjera që mund të marrin masa ndaj Rusisë. Duhet kujtuar se një sërë sanksionesh kanë qenë në fuqi që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në pranverën e vitit 2014.
Së fundmi, Turqia njoftoi se do të zbatonte një marrëveshje të vitit 1935, e cila i jepte të drejtën të bllokonte kalimin e anijeve ushtarake në ngushticën mes Mesdheut dhe Detit të Zi në rast të ndonjë lufte. Autoritetet turke njoftuan se Rusia kishte anuluar vendimin për kalimin e katër luftanijeve në këtë ngushticë, pas paralajmërimit të Anadollit mbi një pengim të mundshëm.
Gjithashtu, Ukraina e ka paditur Rusinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke pretenduar se Rusia e kishte keqinterpretuar Konventën Kundër Gjenocidit për të justifikuar agresionin ndaj saj. GJND është duke shqyrtuar sakaq dy padi të tjera nga Ukraina mbi veprimet e saj në pushtimin e pjesshëm të vitit 2014. Problemi këtu është se Rusia nuk i njeh vendimet detyruese të kësaj gjykate, ndonëse ajo është pjesë e Kombeve të Bashkuara.
Një prokuror i Gjykatës Penale Ndërkombëtare njoftoi më 28 shkurt se kishte hapur një hetim ndaj krimeve të mundshme të luftës që Rusia mund të ketë kryer në Ukrainë. Nga ana tjetër, Rusia nuk është pjesë e Statutit të Romës për gjykatën në fjalë. Madje, vetë roli i OKB-së është dobësuar përgjatë dekadave dhe konflikt pas konflikti nga fuqitë e mëdha, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara, duke humbur fuqinë e saj, raporton A2 CNN.
Në këtë pikë, masat më efikase dhe që mund të arrijnë ndonjë rezultat realist mbeten sanksionet në fuqi apo të tjera që shtetet mund të vendosin ndaj Federatës Ruse. Gjithashtu, edhe vendimet e një sërë organizatash dhe institucionesh ndërkombëtare të natyrës sportive, kulturore, ekonomike etj., kanë efektin e tyre sa kohë që mundësojnë izolimin në rritje të agresorit rus nga pjesa tjetër e botës.