image Cilat janë rregullat e therjes së Kurbanit?

Kosovë

Cilat janë rregullat e therjes së Kurbanit?

news image

Kurbani është një institucion të cilin e hasim te të gjithë popujt, në të gjitha periudhat historike, si dhe te të gjitha fetë e besimet. Po që se i ndjekim ajetet kuranore, vërejmë qartazi se institucioni i kurbanit është po aq i vjetër sa edhe vetë njeriu.

Në fakt institucionin e kurbanit sipas dëshmisë kuranore e hasim qysh në familjen e parë, familjen e babait të njerëzimit, Ademit a.s., kur dy djemtë e tij patën një mosmarrëveshje. Ata të dy ofruan kurban, ashtu që nga ajo se kujt do t’i pranohej kurbani varej edhe gjykimi se cili kishte qëndrim të drejtë e cili të gabuar.

Prej njërit u pranua kurbani e prej tjetrit jo, dhe kështu u vërtetua se cili prej tyre kishte të drejtë e cili jo.

Therja e kurbanit është vaxhib çdo vit, për atë që ka mundësi. Është nga veprat më të dashura tek Allahu, pas namazit të Bajramit. Te medhhebet tjera, përveç hanefinjve, therja e kurbanit konsiderohet synet i fortë e që nuk duhet të lihet.

Kushtet e therjes së Kurbanit

Për të qenë vaxhib Kurbani, personi në fjalë duhet t’i plotësojë këto kushte:

1. Të jetë mysliman, që do të thotë se jo myslimani nuk mund të presë kurban. Por, nëse e pret, nuk i pranohet.

2. Të ketë mundësi materiale. Mundësia materiale te hanefinjt nënkupton posedimin e shumës së nisabit të zekatit (85 gram ari), ose kundërvlerën e tij gjatë ditëve të Kurban Bajramit, dhe kjo shumë të jetë jashtë nevojave el- ementare të tij dhe të atij që e ka obligim përkujdesjen e tij.

3. Të jetë i lirë, pasi që dihet se robi nuk ka të drejtë pasurie.

4. Të jetë i shëndoshë mentalisht. Ai që është me të meta mendore nuk e ka vaxhib kurbanin.

5. Të jetë në moshën madhore. Ai që ende nuk e ka arritur moshën e pjekurisë, lejohet që nga pasuria e tij të pritet kurban, e këtë e bën kujdestari i tij. Në fakt ai nuk e ka vaxhib, por është mustehab (e parapëlqyer) që të pritet kurban për të voglin.

6. Të mos jetë udhëtar. Sipas hanefinjve udhëtari nuk e ka vaxhib therrjen e kurbanit. Ebu Bekri dhe Omeri r.a. nuk kanë prerë kurban kur kanë qenë udhëtarë.

7. Nijeti, është kusht pasi që prerja e kafshës mund të jetë për mish, por edhe për afrim tek Allahu. Muhamedi a.s. ka thënë: “Vërtet veprat shpërblehen sipas qëllimit.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Llojet dhe mosha e kurbanit

Kurbani patjetër duhet të jetë nga bagëtitë si: dhi, dele, lopë, buallicë dhe deve. Dhitë e egra apo lopët e egra nuk lejohet të prehen si kurban. Edhe pse mishi i kafshëve të egra, si i dhisë së egër, i kaprrollit lejohet të hahet, nuk lejohet të prehen kurban. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i kemi caktuar çdo populli vendtherrjen (e kurbanit), që ta përmendin emrin e Allahut për arsye se i furnizoi ata me kafshët.”( El Haxhxh, 34).

Mosha e caktuar e kurbanit është si në vijim:

– Delja dhe dhia duhet t’i kenë një vit të plotë e më shumë; lejohet të therret kurban edhe qengji mbi gjashtë muaj, nëse është i rriturr me trup dhe nuk dal- lohet nga delet që janë njëvjeçare.

– Lopa dhe buallica duhet t’i kenë dy vjet e më shumë;

– Deveja duhet t’i ketë pesë vjet e më shumë.

Kafsha që nuk lejohet të prehet kurban

Nuk lejohet të theret kurban kafsha me këto të meta:

E sëmura, e verbëra, qoftë në njërin sy apo në të dy, e çala që nuk mund të ecë deri te vendi i therjes, kafsha që është shumë e dobët, kafsha që e ka të humbur më shumë se gjysmën e veshit të saj, kafsha e cila e ka të humbur më shumë se gjysmën e bishtit të saj, kafsha të cilës i mungojnë më shumë se gjysma e dhëmbëve të saj, kafsha e lindur pa veshë, kafsha me hundë të këputur, kafsha që ka të humbur majat e sisave.

Ndërsa është mekruh (e papëlqyer) të prihet kurban kafsha me veshë të shqyer, kafsha me veshë të shpuar, kafsha me një pjesë të veshit të këputur, si dhe kafsha e qethur. Lejohet të theret për kurban kafsha e lindur pa brirë, dhe ajo që nuk e ka një pjesë të bririt.2 Kurbani-kafsha e dedikur për kurban duhet të jetë sa më e mirë dhe sa më e shëndetshme.

Për sa persona vlen kurbani?

Të gjithë dijetarët janë të pajtimit se delja dhe dhia janë kurban për një person, ndërsa kafshët e trasha, si: lopa, buallica dhe deveja, mund të prehen për shtatë persona, me kusht që nijeti i të gjithëve të jetë për kur¬ban, që do të thotë se nëse njëri pjesëmarrës në therje ka për qëllim mishin e jo kurbanin, kurbani i tillë nuk vlen për asnjërin. Lejohet të marrin pjesë 4-5-6, e nuk lejohet mbi shtatë. Gjithashtu mjafton edhe një dele për tërë familjen, edhe nëse ata janë shumë. Transmetojnë Ibën Maxheh dhe Tirmidhiu, nga Ebu Ejub El-Ensariu, i cili thotë: “Në kohën e Muhamedit a.s. një njeri ka prerë kurban vetëm një dele, por ajo ka vlejtur edhe për tërë familjen e tij.”3

Koha e therjes së kurbanit

Koha për prerjen e kurbanit është mëngjesi i ditës së Bajramit, pas faljes së tij, e kurrsesi nuk lejohet të prehet para faljes së namazit të Bajramit, dhe kjo vlen deri para faljes së ikindisë, ditën e katërt të Bajramit. Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush e pret kurbanin para namazit të Bajramit, ai e ka prerë për vete, e kush e pret pas namazit, ai ka plotësuar kushtin dhe është në traditën e myslimanëve.” (Buhariu)

Çka i preferohet atij që do të therë kurban?

Është mirë që kurbanin ta therë vetë personi, por nëse nuk di, atëherë të paktën të prezentojë kur të theret ai. Këshillohet që kurbani të kthehet nga ana e kibles. Me rastin e therjes të thotë: Bismil-lah…AUahu Ekber…Allahumme Hadhihi Minke ve Leke (O Zoti ynë, kjo është prej Teje, dhe është për Ty). Allahumme Hadhihi Anni Ve An Aileti (O Zoti im, kjo është prej meje dhe prej familjes sime), ose në rast se ther kurban për dikë tjetër, të thotë: (Kjo është prej filanit dhe familjes së filanit).

Shpërndarja e mishit të kurbanit

Është e parapëlqyer që mishi i kurbanit të ndahet në tri pjesë: një pjesë t’u ndahet të varfërve, një pjesë t’u ndahet të afërmve dhe fqinjëve, dhe një pjesë të ndahet për familjen. Muhamedi a.s. ka thënë: “Një të tretën merreni për familjet tuaja, një të tretën për të afër- mit tuaj, dhe një të tretën për skamnorët e të varfrit” (Transmeton El Hafidh Ebu Musa El Esfehani në El Vedhaif). Mirëpo lejohet që edhe i tëri t’u shpërndahet të varfërve dhe skamnorëve, nëse ai që e ka prerë nuk ka nevojë për atë mish.

Lëkura e kurbanit nuk lejohet të shitet, por jepet sadaka.

Po ashtu nuk lejohet që therësi-kasapi të paguhet me lëkurën si dëmshpërblim të therjes, apo me mish të kurbanit. Muhamedi a.s. ka thënë: ” Kush e shet lëkurën e kurbanit, ai nuk ka kurban” (Hakimi dhe Bejhekiu). Kjo nuk do të thotë se nuk lejohet t’i japësh kasapit asgjë, porse nuk lejohet t’i jepet në vend të pagesës, sepse t’i japësh diç nga mishi si lëmoshë do të ishte mirë.