image Cilat janë ankesat më të shpeshta të turistëve për Shqipërinë?

Rajon

Vera/ Cilat janë ankesat më të shpeshta të turistëve për Shqipërinë?

news image

Jemi në gusht dhe një pjesë e konsiderueshme e njësive akomoduese në Shqipëri i kanë mbyllur rezervimet që më herët. Shqipëria e bukur, me klimë mesdhetare, ka pritur deri më tani jo pak turistë të huaj. Shifrat e qershorit sipas INSTAT tregonin për një rritje prej 27% të hyrjeve të turistëve këtë muaj, krahasuar me një vit më parë. E vërteta është se Shqipëria i ka të gjithë “letrat” për të tërhequr të gjithë vëmendjen e mundshme nga turistët. Po çfarë thuhet në portalin Tripadvisor për gamën e aseteve turistike që ne ofruam?

Në Tripadvisor, një nga portalet amerikane më të famshme të turizmit në botë për Shqipërinë, gjen aktualisht 131 mijë komente dhe opinione. Si destinacionet më popullore vijojnë të sugjerohen Tirana, Saranda, Durrësi, Vlora, Shkodra, por edhe të tjera. Në sytë e të huajve, Shqipëria po maturohet si vend turistik, teksa ndër vite janë shtuar artikujt e mediave prestigjioze që flasin për bukuritë natyrore, plazhet apo të tjera atraksione në vendin tonë. Rekomandimet janë shtuar, por edhe ‘tërheqjet’ e veshit për problematika që lidhen kryesisht me infrastrukturën e dobët rrugore, shërbim i munguar në restorante apo hotele etj.

Tirana, hotele dhe restorante më cilësore

Nuk ka asnjë dyshim që të huajt e vlerësojnë kryeqytetin shqiptar për cilësinë e lartë të hoteleve dhe restoranteve. Një pjesë e tyre rekomandohen në mënyrë të veçantë nga portali i Tripadvisor. Më të vlerësuar janë hotelet në afërsi të qendrës së Tiranës. Elementet që merren në konsideratë janë: mirëmbajtja e dhomave, pastërtia e tualetit, hapësira, komoditeti i shtretërve, shërbimi i internetit.

Një turiste nga Spanja, Hulia, thotë se Tirana në vetvete është një qytet i gjallë dhe me dinamikë. “Më pëlqen të vizitoj Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Muzeun, që të dyja janë afër sheshit qendror ‘Skënderbej’. Ekziston edhe një Teatër Opere, i cila organizon disa shfaqje dhe koncerte në varësi të kohës së vitit. Restoranti im i preferuar është një piceri e quajtur ‘Juvenilja’, ata shërbejnë për një përzgjedhje të mirë të pizzave, pastave, sallatave, mishit, ëmbëlsirave, birrës, kafesë etj. Blloku është një vend i mrekullueshëm për të shkuar në mbrëmje, pasi ka shumë bare trendy, restorante afër nga njëri-tjetri. Zona ishte dikur shtëpia e Enver Hoxhës, udhëheqësit komunist dhe partisë së tij, dhe ishte e mbyllur për masën e njerëzve”, – thotë ajo.

Por, këtë vit, në mesin e komentuesve, vihen re një numër i konsiderueshëm i të huajve që duan të jetojnë në Shqipëri.
“Po marr në konsideratë të shkoj në Tiranë me vajzën time për të jetuar, ndërsa burri im punon në Britani të Madhe. Me çmimet e shtëpive dhe me qira gjithmonë në rritje këtu dhe kujdesi për fëmijët është shumë i shtrenjtë, ne po e mendojmë këtë si një mjet të përkohshëm për të kursyer para. Unë kam qenë në Shqipëri disa herë, e njoh shumë mirë gjuhën. A ka dikush që mund të më këshillojë se cila do të ishte mundësia e nisjes së një pune me orar të pjesshëm….”, – thotë Lucy nga Anglia.

Saranda dhe Vlora, destinacione me çmime të larta

Një nga destinacionet më të pëlqyera dhe të këshilluara nga të huajt, jo vetëm se është lehtësisht i arritshëm nga Korfuzi, por edhe sepse u bë vite tashmë që frekuentohet dhe reklamohet nga të gjithë pushuesit, është Saranda. Sipas një sërë komentuesish në forum, për Sarandën thuhet se ofron një sërë atraksionesh, si: detin, brigjet ranore e shkëmbore, por edhe kulturën, traditën e arkeologjinë. Ata që komentojnë për Sarandën, e këshillojnë si një destinacion “must”, dhe pjesa më e madhe e atyre që vihen re në Tripadvisor, janë nga Britania e Madhe. Ata shtojnë se akomodimi në natë kushton mesatarisht 40 euro, ndërsa në përgjithësi, çmimet i vlerësojnë si të larta për standardet shqiptare.

Edhe Vlora komentohet për çmimet e larta që ofron, ndërsa për ushqimin, të gjitha pjatat e detit kanë marrë 5 yje nga komentuesit. Për ushqimin në Sarandë, të huajt shprehen me nota pozitive, vlerësojnë freskinë dhe pjatat e servirura me kujdes, por kjo nuk vlen gjithmonë për shërbimin. Disa komentues shkruanin që shërbimi jo në të gjitha rastet çalonte, megjithatë shpeshherë merrnin pjata që nuk i kishin porositur aspak dhe se kamerierët nuk dinin anglisht.

Shkodra dhe Kruja, duan traditën

Nga turistët e huaj, vlerësimet për këto dy qytete i shkojnë kryesisht traditës. I pëlqejnë lokacionet, ushqimet, veshjet e këtyre dy qyteteve, sikurse edhe akomodimet modeste, kryesisht nën 4 yje. Por, ka edhe ankesa. Të shumtë kanë qenë turistët e huaj që janë ankuar për cilësinë e akomodimit në të gjitha qytetet e vogla të Shqipërisë, duke iu referuar si “bujtina të ngrata” dhe pa kontroll nga autoritetet.
Pazari i Krujës dhe Pedonalja e Shkodrës kanë tërhequr vëmendje të madhe këtë vit, duke vijuar me përshtypjet pozitive për historinë e vendit tonë, që udhëhiqeshin kryesisht nga qytete-muze si Gjirokastra, Berati etj.

Durrësi pëlqehet për ushqimin e detit

Një pjesë e madhe e komentuesve për Durrësin ishin turistë italianë dhe nga Europa Qendrore. Ata ishin kryesisht të kënaqur nga kushtet e akomodimit dhe të plazhit këtë vit, ndonëse gjithnjë ka turistë që ‘ankohen’. Qyteti më i madh bregdetar i vendit vlerësohet nga turistët e huaj për restorantet e mira ku hahet peshk i freskët, por edhe për hotelet luksoze të ndërtuara rishtazi, me stafe të trajnuara.

Një turist nga Kalifornia në SHBA shkruante: “Vend shumë i bukur, kam bërë një udhëtim të mrekullueshëm. Vizita në Durrës ia vlente, më vonë drekën e konsumuam në kështjellën në Rodon dhe provuam një ndër verërat më të mira. Informacione të dobishme, përvoja të bukura pranë rrënojave të antikitetit romake, ushqim i shijshëm dhe një guidë argëtuese. Do ta këshilloj këtë ditë për këdo”.

Në mesin e komentuesve, gjen edhe ‘shuplaka’ të forta. Një turist nga Polonia shkruan: “Përvoja më e keqe që kam pasur ndonjëherë në një hotel në Shqipëri. Dhoma ishte e vogël, nuk mund të ecnin dot dy njerëz njëkohësisht, mëngjesi ishte shumë i varfër dhe stafi jomiqësor. Parkimi ishte gjithnjë i zënë dhe na u desh të harxhonim shumë kohë duke kërkuar për një vend parkimi. Unë kurrë nuk do të qëndroj më në këtë hotel të tmerrshëm”.

Edhe kazino?

Nuk jemi Las Vegas (sidomos pas miratimit të ligjit për ndalimin e aktivitetit të kazinove dhe pikave të basteve në qytete) por, vizita e kazinove duket një ndër tematikat që është shkruar dhe komentuar për Shqipërinë. Martyn Cymro, nga Coimbra, Portugali shkruan se, për ata që pëlqejnë kazinotë, pas një vizite kulturore në Shtëpinë e Gjetheve dhe Muzeun Kombëtar, shumë afër qendrës ndodhet një kazino, me shumë aktivitete. (Regency Casino, Taiwan). Ndërsa jashtë saj mund të konsumohet një pije duke qenë se ka pamje të këndshme.

Ndërsa Robert, nga Yorshire i Britanisë së Madhe shkruan këtë maj se, “ma rekomanduan disa miq por nuk munda të bëj asnjë lojë dhe ndërkaq shijova një birrë në tarracë. Jim nga Mississauga, Kanada thotë se me ndalimin e basteve që në fund të vitit të shkuar, janë frenuar të vizitojnë pika të tilla./Monitor