image Çiklistët marshojnë kundër ndotjes së ajrit, u bëjnë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë biçikletat

Kosovë

Iniciativë/ Çiklistët marshojnë kundër ndotjes së ajrit, u bëjnë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë biçikletat

news image

Përveç kushteve minimale të infrastrukturës dhe sigurisë, çiklistët thonë se tani po përballen edhe me ajër të ndotur, i cili vjen si rrjedhojë e dominimit të mjeteve motorike në rrugët e kryeqytetit. Këtë situatë çiklistët po e shohin si pengesë që ky mjet të përdoret edhe më shumë.

E për të shprehur këtë shqetësim “Çiklo Sigurt Prishtina” ka organizuar marshin kundër ndotjes së ajrit.

Në përkrahje të këtij marshi doli edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, sipas të cilit drejtuesit e automjeteve duhet të jenë më të kujdesshëm në raport me çiklistët.

“Qëllimi i këtij marshi është vetëdijesimi i qytetarëve, vetëdijesimi i ngasësve të automjeteve të cilët duhet të kenë shumë kujdes për çiklistët sepse është shumë rrezik, duhet sa më shpejt të krijohen rrugë për çiklistët që t’i kenë traset e veta dhe unë shpresoj që me këtë nismë të çiklistëve të Kosovës do të bëhet tradicionale dhe sa më shpesh të dalim dhe të merremi me qytetarët sidomos me ngasësit e veturave të cilët shumë pak kujdesën për çiklistët”, u shpreh deputeti i VV-së.

Vera Nika pjesë e komuniteti “Çiklo Sigurt”, deklaroi se marshi ka për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë për përdorimin e biçikletave dhe mbrojtjes së ambientit.

“Aktiviteti i sotëm nuk ka me qenë i pari dhe i fundit, është vetëm fillimi i aktiviteteve. Sot e kemi përzgjedh temën e ndotjes së ajrit. Ideja e kësaj ngjarje është me ngrit vetëdijesimin e njerëzve të kalojnë në biçikletë sepse është më e shëndetshme, nuk emiton gazra që e ndotin ajrin dhe njëkohësisht është shumë më e lirë”, u shpreh Nika.

Në përkrahje të këtij aktiviteti ishte edhe Policia e Kosovës të cilët u kujdesën për sigurinë e çiklistëve.

Ndryshe, nisja e këtij aktiviteti është bërë nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në Fushë-Kosovë (që njihet si një nga zonat me ndotjen më të lartë të ajrit) e deri te Parku i Gërmisë (si zona më e pastër), ku trajektorja e marshit ka pasur gjatësinë prej 7 km./GazetaSinjali/