Arizon Statovci, nga Prugovci i Podujevës, bashkë me bashkëshorten Ariana Berisha, shkuan në pushime me agjencinë EuroKoha. Ata ishin në Bodrum të Turqisë, në hotelin Palmed Bianco Hotel me 5 yje, prej datës 23 deri 29 gusht të këtij viti.
Por kur e panë gjendjen faktike të këtij resorti u bë pishman për rrugën që e morën për shkak të kushteve që gjetën aty.
Çifti nga Podujeva thotë se ushqimi dhe shumëçka tjetër aty i bëri të kërkojnë largimin nga ky vendpushim.
Agjencia ia ktheu një shumë të caktuar të parave, por Arizoni dhe Ariana nuk po pajtohen me këtë shumë, pasi që në kontratë ceket kthimi i parave prej 70 për qind.
Edhe pse në kontratë lajmërimi për kthim nga moskënaqësia e akomodimit thuhet se duhet të bëhet brenda 24 orëve, këtë gjë e bëri 23-vjeçari, por atij iu desh të qëndronte edhe dy ditë tjera pa dëshirën e tij, madje edhe të paguajë ekstra biletën kthyese të aeroplanit.
Por kjo gjë arsyetohet nga kompania që ishte përgjegjëse, duke mohuar se cilësia ishte e dobët, raporton Klani.
Mërgimtari që erdhi nga Suedia për pushime thotë se vetë zyrtarët e Eurokohës i thanë atij edhe për një hotel tjetër Larissa Hotels Bodrum, se kishte kushte të këqija, por që ky hotel akoma shihet në faqen zyrtare si ofertë për qytetarët.
Ndërsa kjo agjenci i tha Kiksit, përmes e-mailit, se shija është relative dhe se varësisht nga çmimi, varet edhe hoteli, që i bie se jo nga rangu i yjeve që i paraqet.