image Çfarëdo ankese që bën pacienti del gabim

Shëndetësi

Çfarëdo ankese që bën pacienti del gabim

news image

Ankesat e pacientëve janë një tregues i rëndësishëm për cilësinë e shërbimeve që ofron një institucion i caktuar shëndetësor.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë thotë se vazhdimisht pranon ankesa, sidomos për sjelljen dhe mënyrën e komunikimit të mjekëve dhe infermierëve, kur pacientët kërkojnë shërbime nga ta.

Besim Kodra, drejtor i kësaj shoqate, thotë se shpesh ka ankesa edhe për mungesë ndjeshmërie, për gabime mjekësore apo për barna të pamjaftueshme esenciale.

Sipas tij, ankesat adresohen tek institucionet përgjegjëse, si Ministria e Shëndetësisë, Oda e Mjekëve apo Qendra Klinike Universitare e Kosovës, por, siç thotë ai, ato janë të ngadalshme në trajtimin e tyre.

“Kjo i dekurajon pacientët… kur ata presin gjatë dhe nuk marrin përgjigjen e merituar për ankesa. Fatkeqësisht po ndodh, mandej, që njerëzit e humbin besimin që dikush i zgjidh problemet e tyre dhe e marrin drejtësinë në duart e veta, duke e rrahur mjekun ose infermierin”, thotë Kodra.

Ditë më parë, një mjek nga Gjilani u arrestua për “trajtim të pandërgjegjshëm” të një fëmije me autizëm, në një klinikë private. Para se të arrestohej, u raportua se familjarë të pacientes 5-vjeçare e sulmuan fizikisht atë. Ata, po ashtu, u ndaluan nga policia.

Me qëllim të rritjes së përgjegjësisë së ofruesve të shërbimeve shëndetësore, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë funksionon Inspektorati Shëndetësor.

Për tre vjet, 385 ankesa

Nga ky inspektorat thonë se, në tre vjetët e fundit, kanë pranuar 385 ankesa të qytetarëve për mantelbardhët – qofshin ata në institucionet publike shëndetësore apo në ato private.

“Në rastet kur është konstatuar se janë shkelur dispozitat ligjore në fuqi, inspektorati ka shqiptuar gjoba administrative, kurse në rastet kur ka pasur dyshime se mund të jenë bërë shkelje profesionale, lëndët e tilla janë dërguar në odat e profesionistëve shëndetësorë, sipas kompetencave të përcaktuara me ligjet në fuqi”, thuhet në një deklaratë me shkrim të këtij inspektorati.

Aty nuk jepen detaje as për natyrën e ankesave të bëra, as për gjobat e shqiptuara.

Ankesat e qytetarëve lidhur me institucionet shëndetësore

Në tre vjetët e fundit, Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë ka pranuar 385 ankesa të ndryshme nga qytetarët, në lidhje me institucionet shëndetësore publike dhe private.

Nga Oda e Mjekëve të Kosovës thonë se ankesat për mjekë janë “minimale”.

Kryetari i kësaj ode, Pleurat Sejdiu, thotë se gjatë vitit 2022, nuk ka pasur asnjë rast kur është dashur të intervenohet dhe t’i merret leja e punës ndonjë mjeku.

“Shumica e ankesave që kanë ardhur në Odën e Mjekëve, kanë qenë për sjellje jo të hijshme. Ato, në bazë të Kodit të etikës, nuk konsiderohen si shkelje të rënda dhe zakonisht përcillen me dënime, me vërejtje publike”, thotë Sejdiu.

Me ligjet në fuqi, varësisht shkeljeve që bëjnë profesionistët shëndetësorë, mund të shqiptohen një sërë masash – nga rekomandimi kolegial ose kërkimfalja ndaj pacientit deri te tërheqja e përkohshme ose e përhershme e licencës së punës.

Dyshon në gabimin e mjekëve, por nuk ankohet

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, secili pacient që ndien se i është shkelur ndonjë e drejtë, mund ta shprehë këtë shqetësim në kutitë e ankesave, që janë të vendosura në disa hapësira. Ankesat mund t’i dërgojnë direkt edhe në drejtorinë e QKUK-së apo në drejtorinë e klinikës përkatëse.

Enveri, një pacient në Klinikën e Oftamologjisë më 1 dhjetor, tha se nuk e ka bërë një gjë të tillë, edhe pse dyshon se mjekët nuk e kanë operuar siç duhet në syrin e djathtë.

“Pas operacionit më ka humbur pamja komplet. Erdha të operohem prapë, por nuk më futën në operacion, sepse kisha tension të lartë”, tha Enveri, i cili vinte nga një fshat i komunës së Prizrenit.

Operacionin e parë e kreu para pesë muajve dhe gjatë kësaj periudhe tha se nuk është ankuar.

“Nuk ke përse të ankohesh, është gjë pa lidhje. Çfarëdo ankese që mund ta bësh, prapëseprapë pacienti del se ka qenë gabim”, tha Enveri.

Nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, nën mbikëqyrjen e të cilit është QKUK-ja, nuk japin informacione të qarta për ankesat që marrin nga pacientët e as për mënyrën e trajtimit të tyre.

“Kutitë e ankesave, të cilat janë të vendosura në çdo hyrje të klinikave të QKUK-së, kohë pas kohe, hapen për të verifikuar nëse ka pasur ndonjë ankesë, e cila do të duhej të shqyrtohej nga anëtarët e komisionit [për ankesa] dhe varësisht formës së ankesës, procedohet tutje”, thuhet në deklaratën me shkrim të QKUK-së.

Përfaqësues të Odës së Infermierëve të Kosovës konfirmojnë se, deri më tash këtë vit, u janë marrë licencat gjashtë infermierëve, për shkelje të ndryshme.

“Deri në këto momente kur po flasim, për shkak të sjelljeve jo të mira, ua kemi marrë licencat katër infermiereve, edhe në dy raste të tjera, për shkak se kanë lëshuar certifikata fiktive”, thotë kryetari i kësaj ode, Naser Rrustemi.

Grupi i katër infermiereve lidhet me rastin e keqtrajtimit fizik të një gruaje të moshuar në një shtëpi të pleqve në Pejë, në fillim të nëntorit, ndërsa dy rastet e tjera që përmend Rrustemi, nuk është e qartë se kujt ua kanë lëshuar ato certifikata dhe si janë zbuluar.

REL-i ka raportuar më herët se si pacientët që kërkojnë një shërbim të caktuar në QKUK, detyrohen të presin nganjëherë me muaj ose vite.
Udhëheqës të QKUK-së i kanë justifikuar këto pritje me mungesë të stafit ose fluks të madh pacientësh.

Ankesa ka pasur edhe për kushte jo të mira brenda disa klinikave të QKUK-së.

Nën SHSKUK-në funksionojnë QKUK-ja dhe shtatë spitale rajonale: i Gjilanit, i Prizrenit, i Pejës, i Mitrovicës, i Ferizajt, i Gjakovës dhe i Vushtrrisë. Në Kosovë ka edhe qindra institucione private shëndetësore, përfshirë spitale, klinika, laboratorë etj.

/GazetaSinjali/