image Çfarë thoshte Enver Sekiraqa për Triumf Rizën para gjykatësit?

Kosovë

Dënim/ Çfarë thoshte Enver Sekiraqa për Triumf Rizën para gjykatësit?

news image

Enver Sekiraqa është dënuar gjatë ditës së sotme për herë të dytë nga Gjykata në Prishtinë me 30 vite burgim për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza.

Fillimisht Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte shpallur Sekiraqen fajtor në maj të vitit 2016, për ‘nxitje të kryerjes së vrasjes së rëndë’. Ai ishte dënuar më 37 vite burgim, por Gjykata e Apelit rastin e tij e kishte kthyer në rigjykim.

Sekiraqa muaj më parë kishte mohuar kategorikisht para gjykatësit se kishte pasur lidhje me Triumf Rizën. Kishte thënë se nuk ishte marrë me Triumf Rizen asnjëherë.

“Mbetem në tërësi pranë asaj që e kam thonë para prokurorit, para trupit gjykues të EULEX-it, unë gjithmonë e kam thonë të vërtetën, kurrë s’kam pas lidhje me këtë punë, as kurrë unë s’kam fol me njeri të gjallë për Triumfin”, tha ai

 “As nuk e kam përcjellë Triumfin, as nuk e kam këqyr me çka merret, as me kon rrehet, as kurrë nuk më ka interesu puna e tij. Kam pas unë punë të mia, e jam marr me punë të mia. Këto janë krejt për qëllime politike”, kishte deklaruar muaj më parë Sekiraqa para gjykatësit.

Sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë me datën 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burgim/Gazeta Sinjali/