Sot, rreth orës 10:40 në kryqëzimin e rrugëve “Edmond Hoxha” dhe “Hajrullah Abdullahu” në Prishtinë ka ndodhur një grabitje e armatosur në një institucion financiar për transferta ndërkombëtare.
Siç mëson Gazeta Sinjali, grabitja ka ndodhur në një filial të “Wester Union”-it.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai ka treguar se, pas marrjes së informacionit, policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga një person i cili po ashtu dyshohet të ketë qenë i armatosur.
“Rreth orës 10:30 është raportuar për një grabitje të ndodhur në filialin e një institucioni financiar për transferta ndërkombëtare në kryqëzimin e rrugëve “Edmond Hoxha” dhe “Hajrullah Abdullahu” në Prishtinë . Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga një person i cili po ashtu dyshohet të ketë qenë i armatosur. Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rastit”, ka thënë Borovci.
Ndryshe, rastet e grabitjeve në institucionet financiare në Kosovë nuk janë shumë të rralla.
Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi se, persona të panjohur kanë grabitur edhe një filial të “Western Unionit” në Bregun e Diellit.
Derisa një punëtore ishte në vendin e punës, dy persona të panjohur, të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë grabitur nga arka 200 euro.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se ende nuk janë kapur të dyshuarit, pasi të njëjtit janë larguar në drejtim të panjohur./Gazeta Sinjali/