image Çfarë parasheh ligji për pranimin e dhuratave nga personat zyrtarë?

Drejtësi

Çfarë parasheh ligji për pranimin e dhuratave nga personat zyrtarë?

news image

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është bërë temë diskutimi gjithandej, kjo pas dhuratës të cilën ia dhuroi kryeministri i Katarit, Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al-Thani, gjatë vizitës që zhvilloi atje.

Pas mirëpritjes që ia bënë zyrtarët e shtetit nikoqir, ata i dhuruan ministrit Sveçla, një orë të llojit “Rolex”, e cila besohet të kushtojë mijëra euro, shkruan Gazeta Sinjali.

Por çfarë thotë ligji rreth pranimit të dhuratave nga personat zyrtarë?

Sipas Ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë dhe prejardhjen e dhuratave, “personi zyrtar nuk mund të kërkojë ose të pranojë dhurata ose favore të tjera për vete, as për anëtarët e familjes, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë, ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe dhuratave të rastit“.

Dhurata protokollare konsiderohen dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera, si dhe dhuratat e sjella në kushte të ngjashme.

Në kuadër të dhuratave protokollare bëjnë pjesë: simbolet shtetërore, medaljet dhe shenjat protokollare.

Menjëherë pas pranimit, ose pas kthimit në vend, zyrtari duhet të paraqesë dhuratën.

Personi zyrtar duhet ta informojë me shkrim eprorin e tij, nëse i është ofruar ose dhënë një dhuratë pa paralajmërim dhe në rrethana specifike. Në rast se personi zyrtar është drejtues institucioni, ai duhet ta informojë Agjencinë“, thotë ligji.

Dhuratat protokollare bëhen pronë e institucionit, në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën, sipas ligjit.

Por nëse zyrtari që e ka pranuar dhuratën bën kërkesë, Agjencia me vendim mund të lejojë të merret dhurata nëse ekzistojnë arsye bindëse.

Me kërkesën e personit zyrtar që ka pranuar dhuratën, Agjencia me vendim mund të lejojë të merret dhurata nëse ekzistojnë arsye bindëse se dhurata i është dhënë për qëllime personale dhe nuk ndikon ose nuk duhet të ndikojë në kryerjen e detyrës zyrtare“, parashihet me ligj.

Nëse Agjencia konstaton se personi zyrtar i ka shkelur dispozitat e këtij ligji dhe nëse shkelja nuk dyshohet se përbën vepër penale, informon institucionin në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën dhe kërkon që ndaj shkelësit të merren masa disiplinore. Institucioni përkatës duhet ta informojë Agjencinë për masat disiplinore që janë marrë ndaj personit zyrtar.

Ndryshe, në mediumin “Kosova News”, u raportua se ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ka pranuar dhuratë një orë Rolex në vlerë 30 mijë euro, të cilën ia ka falur ministrisë si suvenir të çmuar, e i njëjti lajm pastaj u shpërnda edhe nga zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, duke e cilësuar si gjest të jashtëzakonshem.

/GazetaSinjali/