Ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Bühler, i cili shërbeu në Kosovë nga viti 2010 deri më 2011, ishte në krye të detyrës kur u publikua raporti i zviceranit Dick Marty që akuzonte ish-krerët e UÇK-së për krime dhe tregti me organe njerëzore.
Ai thotë se i kanë shikuar arkivat dhe kanë provuar të gjejnë diçka nga këto akuza, por se nuk kanë hasur në të tilla.
Bühler u pyet nga DW për këtë çështje dhe për proceset në Hagë kundër ish-krerëve të ish-UÇK-së.
“Në kohën sa kam qenë unë komandat është publikuar raporti i zviceranit Dick Marty. Natyrisht që ne i kemi shikuar të gjitha arkivat dhe kemi bërë përpjekje që të gjejmë dëshmi konkrete për këto akuza, por nuk kemi gjetur. Nuk kemi gjetur asnjë dëshmi për këto pohime“, tha Bühler.
Ai tha se i njeh tre prej tyre dhe se gjithmonë niset nga parimi se secili është i pafajshëm, deri në vendim përfundimtar të gjykatës.
“Natyrisht që ne e kemi përcjellë edhe të gjithë debatin për këtë çështje dhe shpreh keqardhje për zgjatjen kaq të madhe të proceseve. Është për të ardhur keq edhe fakti që provat kanë qenë kaq të pakta në fillim të procesit, sa që tani prokuroria po detyrohet të bëjë hetime të tjera të shumta pas publikimit të aktakuzës së parë“, ka thënë ai.