image Çfarë do të thotë për serbët në Kosovë heqja e lejes së punës për kompaninë MTS?

Kosovë

Çfarë do të thotë për serbët në Kosovë heqja e lejes së punës për kompaninë MTS?

news image

Acarim serioz i situatës që shkon përtej kornizave ekonomike, ekzistencë e diskutueshme e mbi 250 familjeve të komunitetit serb në Kosovë dhe ndërprerje e komunikimit dhe informimit për rreth 80.000 përdorues të shërbimeve të kompanisë MTS d.o.o.

Sipas kompanisë “Telekom Serbia”, këto janë pasoja në rast se kompania e saj në Kosovë del jashtë aktivitetit.

MTS d.o.o. është kompani e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë nga viti 2015, si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në fund të vitit 2016, kjo kompani mori licencën për të operuar sipas ligjeve të Kosovës. Themelues me 100 për qind të aksioneve është “Telekom Serbia”.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës tani pretendon se kjo, sikurse edhe dhjetëra kompani të tjera, shkelin rendin kushtetues sepse në dokumentet e tyre për regjistrim, qytetet në Kosovë përmenden si pjesë e Serbisë.

Konkretisht në rastin e MTS-së, adresa është e shënuar si “Kosovska Mitrovica, Republika e Serbisë”.

Në periudhën e pasluftës ky qytet u nda në dy pjesë, atë jugore dhe veriore. Sot, ato janë dy komuna të ndara: Mitrovica e Jugut, e banuar me shumicë shqiptare, dhe Mitrovica e Veriut e banuar me shumicë serbe. Selia e MTS-së është në Mitrovicën e Veriut, por ka degë edhe në viset të tjera të banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit.

Qeveria e Kosovës nuk ka marrë përgjigje në pyetjen se cilat janë alternativat e serbëve në rast të mbylljes së MTS-së. /REL/

/GazetaSinjali/