image Çështja me dinarin: Gjermania i kërkon Kosovës 4 muaj periudhë tranzicioni

Politikë

Çështja me dinarin: Gjermania i kërkon Kosovës 4 muaj periudhë tranzicioni

news image

Kosova duhet ta zgjasë periudhën e tranzicionit për vendimin e BQK-së për katër muaj, njësoj siç kishte ndodhur me fushatën për liberalizimin e vizave.

Kështu ka deklaruar sot ambasadori gjerman, Jorn Rohde në një postim në rrjetin social X.

Ai tha se Kosova ka treguar se di se si të komunikojë në mënyrën e duhur dhe se kjo është ajo çfarë duhet tani.

“Kolegu im nga Bashkim Evropian Tomas Szunyog e thotë qartë pse na duhet një periudhë mjaft e gjatë tranzicioni dhe informimi për rregulloren e BQK-së. Me fushatën e saj katër mujore përpara liberalizimit të vizave, Qeveria ka treguar se di të komunikojë siç duhet. Ne kemi nevojë për atë përsëri tani,” ka shkruar ai.

Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur nga 1 shkurti që euroja të jetë valuta e vetme për përdorim për pagesa. Ajo me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese ka lëshuar në funksion linjën pa pagesë 0800 222-55 për serbët që jetojnë në Kosovë dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht.

Rregullorja për Operacione për Para të Gatshme nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara, nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK, nuk ndalon transferet nga asnjë shtet dhe nuk ndalon posedimin dhe kursimin ne asnjë valute jo-euro, përfshirë dinarin, sipas BQK-së.

Të gjithë individët mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në euro, përderisa ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë te secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024.

Në katër komunat veriore operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse), mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore.

/GazetaSinjali/