image Camaj: Milatoviçi e Spajiçi s’e vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës

Politikë

Camaj: Milatoviçi e Spajiçi s’e vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës

news image

Deputeti nga radhët e Forumit Shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Nikollë Camaj, në një intervistë për “The Geopost”, ka thënë se pavarësisht grupacioneve pro-serbe e pro-ruse atje, as presidenti malazez Jakov Milatoviç e as mandatari për formimin e Qeverisë së Malit të Zi, Milojko Spajiç, s’e vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës.

“Diçka ka ndodhur edhe brenda grupacioneve dhe aktualisht edhe mandatari edhe kryetari i shtetit nuk e vendosin në pikëpyetje çështjen e integrimeve evropiane, çështjen e marrëdhënieve me fqinjët, duke pasur parasysh këtu edhe marrëdhëniet me Kosovën”, ka thënë Camaj.

Vetë presidenti malazez, në një intervistë për Radio Televizionin e Sllovenisë, ka deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe sanksionet ndaj Rusisë për agresionin e paprovokuar në Ukrainë, janë çështje të mbyllura në politikën malazeze.

Camaj ka komentuar edhe përpjekjet e ish-Frontit Demokratik pro-rus dhe pro-serb, i cili ka pushtet absolut në Komunën e Zetës – komuna më e re në Mal të Zi – për miratimin e një deklarate, me të cilën, siç thonin ata, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë më në atë territor.

“Golubovci [qytet i vogël në rrethin e Zetës] është një komunë e formuar ku është shumica serbe dhe patën marrë iniciativë që të shfuqizojnë njohjen e Kosovës, pra merreni me mend, një komunë. Dhe krejt ajo eufori zgjati për 10 ditë, as që arriti në rend të ditës”, ka thënë Camaj.

Deputetët e Kuvendit Komunal të Komunës së Zetës parashihej të diskutonin propozimin për “çnjohjen” e Kosovës më 11 qershor, por seanca kishte dështuar. Ngjashëm dështoi edhe seanca e 30 qershorit. As seanca e tretë dhe e katërt që ishin paraparë për të njëjtën arsye, nuk ishin mbajtur.

/GazetaSinjali/