Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka thënë se partia politike Romani Iniciyativa pritet të fitojë edhe mandatin e dytë në Kuvend me votat të marra në komunat me shumicë serbe, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai thotë se Romani Iniciyativa mbi 70 për qind të votave që i ka fituar në këto zgjedhje, i ka marrë në ato komuna ku jetojnë 10 për qind e numrit të përgjithshëm të qytetarëve që i përkasin komunitetit rom.
Në Graçanicë, Cakolli thotë se kjo parti ka marrë 1 mijë e 620 vota, gati dyfish më shumë se numri i qytetarëve romë që jetojnë në këtë komunë.
Sipas tij, këto vota cenojnë përfaqësimin e drejtë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kuvend.
Postimi i plotë i Eugen Cakollit
Votat e fituara nga subjekti politik Romani Iniciyativa janë në shpërputhje me shtrirjen demografike të komunitetit rom në Kosovë, si dhe cenojnë përfaqësimin e drejtë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kuvend.
Mbi 70% të votave të fituara nga Romani Iniciyativa janë në komunat me shumicë serbe, ku në fakt jetojnë vetëm 10% e numrit të përgjithshëm të qytetarëve të komunitetit rom. Vetëm në Graçanicë, Romani Inicyativa ka fituar 1,620 vota, apo gati dyfish më shumë se numri i përgjithshëm i qytetarëve rom që jetojnë atje. Në këtë komunë, Romani Inicyativa ka fituar gati gjysmën e votave të përgjithshme, të cilat në dukje të parë, janë mbetje krahasuar me votat që Lista Serbe ka pasur në zgjedhjet e vitit 2019 (duke ia shtuar edhe votat e Adrijana Hodzic).
Po ashtu, edhe në Kamenicë, Novobërdë, Vushtrri, Ranillug, Partesh dhe Kllokot, Romani Iniciyativa ka fituar vota më shumë sesa që ka banorë rom të deklaruar, e madje në disa prej tyre ka fituar vota, ndonëse atje nuk ka asnjë banor të deklaruar nga komuniteti rom.
Me numrin e dyshimtë të votave të fituara, ky subjekt pritet të fitojë mandatin e dytë në Kuvend, në kuadër të mandateve të ndara për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, edhe pse në fakt komuniteti rom ka numrin më të vogël të banorëve ndër këto tri komunitete.
Sipas një logjike të tillë të veprimit, lehtësisht në legjislaturat e ardhshme mund të kemi subjekte politike të komuniteteve, që mund të mos marrin fare vota nga komunitetet përkatëse, të cilat ata supozohet se i përfaqësojnë. E kjo pastaj, ia humb kuptimin ekzistimin e vendeve të garantuara për komunitetet.
Se a do të kishte reagim ndryshe nga akterët vendorë apo ndërkombëtarë në një situatë të atillë, s’di çka them…/Gazeta Sinjali/