Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, e ka cilësuar si të pasaktë narracionin e pushtetit se Gjykata Kushtetuese po i bllokon reformat, veçanërisht ato në drejtësi dhe administratë publike.
Caka-Nimani tha se të gjitha aktvendimet e kësaj gjykate janë ndërtuar mbi normat kushtetuese dhe standardet më të mira ndërkombëtare
”Narracioni i krijuar që Gjykata Kushtetuese i ka bllokuar reformat është plotësisht i pasaktë. Gjykata Kushtetuese në fakt në tri vitet e fundit posaçërisht ka vlerësuar numër të shtuar ligjesh që lidhen me reformën në drejtësi dhe reformën në administratën publike kryesisht. Ligjet që ka shqyrtuar Gjykata Kushtetuese në këto vite ngërthejnë çështje esenciale të çdo sistemi demokratik, pavarësinë e sistemit gjyqësor, pavarësinë e sistemit prokurorial, ndërveprimin e pushtetit ekzekutiv me pushtetin gjyqësor dhe të gjitha aktgjykimet e gjykatës që janë nxjerrë janë të ndërtuara mbi normat kushtetuese, përfshirë standardet më të mira ndërkombëtare, të cilat janë të aplikueshme në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, në bazë të instrumenteve ndërkombëtare të përcaktuara me Kushtetutë”, tha Caka-Nimani në Klan Kosovë.
Duke folur për ligjet që opozita po i dërgon për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese Caka-Nimani tha se kjo është karakteristikë e të gjitha legjislaturave të Republikës së Kosovës, derisa theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetenca vetanake për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve, por se ky vlerësim kërkohet në gjykatë nga palët e autorizuara, ku përfshihen edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Parimisht gjithmonë Qeveria propozon ligjet dhe parimisht shumica e Qeverisë e përfaqësuar në Kuvend mbështetë këto ligje, dhe deputetët e opozitës janë ata që kontestojnë ligjet në Gjykatën Kushtetuese, kjo është karakteristikë e të gjitha legjislaturave të Republikës së Kosovës, është karakteristikë edhe e vendeve të tjera që kanë mekanizma të tillë të përcaktuar në kushtetutë dhe është bërë ndër vite para Gjykatës Kushtetuese nga të gjitha forcat opozitare, shpesh me argumente dhe kundër argumente të ngjashme”, tha Caka-Nimani.