image Bursa e përbashkët e energjisë, hapet mes Kosovës e Shqipërisë

Prodhime Vendore

Bursa e përbashkët e energjisë, hapet mes Kosovës e Shqipërisë

news image

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë sot në ceremoninë e funksionalizimit të Tregut një ditë Para për Zonën Ofertuese të Kosovës dhe Bashkimi i Tregjeve të Energjisë Elektrike Kosovë-Shqipëri.

Në fjalën e tij, Kurti tha se inaugurimi i ALPEX-it shënon një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës dhe përkushtimin e vendit tonë për bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, teksa theksoi se ALPEX shërben si një mjet jetik për zhvillim, duke nxitur konkurrencën e drejtë, duke vendosur sinjale të besueshme të çmimeve dhe duke nxitur investimet në kapacitetet e reja të energjisë së ripërtëritshme.

Ai tha se përveç se si sfidë, përballja me krizë energjetike viteve të fundit ka mundësuar edhe thellimin e bashkëpunimeve ndër-kufitare.

Kryeministri kujtoi se qytetarët e bizneset e Shqipërisë verën e kanë kaluar me energji të bollshme falë energjisë së deponuar nga Kosova, ndërkaq qytetarët e bizneset e Kosovës dimrin e kanë kaluar më ngrohtë, falë energjisë së marrë nga Shqipëria.

Sa i përket sektorit të energjisë, ai tha se Qeveria e Kosovës fokusohet në sigurinë e furnizimit dhe përballueshmëri financiare për qytetarët dhe bizneset e vendit.

Kësisoj, Kurti tha se përmes bashkëpunimeve me Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë synohet të hapim ekonominë duke ndihmuar bizneset të bëhen më efikase dhe kost-efektive, të optimizojmë integrimin teknologjik dhe të krijojmë një mjedis për tërheqjen e investimeve.

“Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një mjedis energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Bashkë për bashkëpunim rajonal, zhvillim ekonomik, sinergji e transparencë dhe mjedis të fuqishëm të investimeve të sektorit privat”, u shpreh ndër të tjerash kryeministri Kurti, sepse sinergjia në energji është fuqi që na duhet dhe e duam, tha ai.

Ndërkaq, ministrja Rizvanolli theksoi se sot po shënojnë këtë ditë historike për sektorin e energjisë, për funksionimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, në Republikën e Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Siç u shpreh ministrja, rëndësia e kësaj burse dhe funksionimi i përbashkët i tregjeve tona të energjisë elektrike është vështirë të përshkruhet sepse është shumëdimensional dhe ndikimet e tij nuk i shohim vetëm sot, por ndikimet më të mëdha do t’i shohim përgjatë viteve që po vijnë.

Në përmbyllje të kësaj ngjarje, Kurti falënderoi partnerët nga Shqipëria, përfshirë Operatorin e Sistemit të Transmetimit, Entin Rregullator të Energjisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës, si dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për mbështetjen e tyre, derisa bëri thirrje të punojmë së bashku për të ndërtuar një mjedis energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues.

/Gazeta Sinjali/