Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është pritur nga kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, në bazën detare britanike në Portsmouth, ku dy liderët diskutuan për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe mbështetjen ndaj Ukrainës.
Burnham, i cili mori detyrën vetëm një javë më parë, tha se Zelensky ishte lideri i parë i huaj që priti zyrtarisht, duke theksuar se kjo ishte një zgjedhje e qëllimshme.
“Je lideri i parë që mirëpres që nga marrja e detyrës dhe kjo nuk është rastësi. Dua të dërgoj një mesazh shumë të qartë: jemi 100% me Ukrainën dhe unë personalisht jam 100% me ju. Do ta respektojmë çdo zotim që Britania i ka dhënë Ukrainës”, tha Burnham, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Takimi u zhvillua në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, ku u diskutua edhe nevoja urgjente e Ukrainës për më shumë raketa interceptuese për t’u mbrojtur nga sulmet balistike ruse, si dhe zgjerimi i prodhimit të përbashkët të dronëve.
Nga ana e tij, Zelensky tha se marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Britanisë janë “më të forta se kurrë” dhe bëri të ditur se synon ndërtimin e një fabrike të madhe për prodhimin e dronëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Dy liderët vizituan gjithashtu mbi 200 ushtarë ukrainas që po marrin pjesë në një program stërvitor trejavor në Britani, ndërsa Zelensky pritet të udhëtojë të martën në Uashington për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!