image Burgu i Prizrenit në gjendje të rëndë higjienike

Kosovë

Burgu i Prizrenit në gjendje të rëndë higjienike

news image

Avokati i Popullit, ka publikuar gjatë ditës së sotme raportin nga vizita e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), ku janë vërejtur disa mungesa. Në raport janë theksuar disa mungesa elementare për çka janë ankuar të burgosurit.

Në raport thuhet se pas ankesave të të burgosurve MKPT ka vërejtur se nuk ka mjete higjienike dhe as dushet nuk janë në gjendje të mirë teknike, shkruan Gazeta Sinjali.

“Sa u përket kushteve të akomodimit, MKPT-ja ka vërejtur se, në disa raste, hapësirat e banimit për të burgosurit nuk janë në pajtim me dispozitat e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP) dhe as me standardet e përcaktuara nga Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës. MKPT-ja ka pranuar ankesa nga të burgosurit për mungesë të mjeteve higjienike. Po ashtu, MKPT-ja ka vërejtur se dushet, në pjesën ku akomodohen të paraburgosurit, nuk ishin në gjendje të mirë higjienike dhe as teknike”, thuhet në raport.

Më tej thuhet se të paraburgosurit angazhohen për punë të pastrimit, në kuzhinë dhe për mirëmbajte të objektit.

“Sa i përket regjimit, MKPT-ja ka vërejtur se të dënuarit angazhohen në punë për pastrim, në kuzhinë dhe për mirëmbajtje të caktuara të objektit. Të dënuarit kanë mundësi të dalin në shëtitje gjatë gjithë kohës, dyert i kanë të hapura prej orës 7:00 të mëngjesit deri në orën 7:00 të mbrëmjes. Përpos shëtitjes, ata kanë në dispozicion një tavolinë ping-pongu, lojën e shahut dhe letra domino”, thuhet në reagim.

Në këtë raport, pozitive është vlerësuar kontakti i të burgosurve me botën e jashtme. Thuhet se në këtë cështje gjendja është e kënaqshme.

“Shërbimet shëndetësore në QPP ofrohen nga Njësia Shëndetësore e Departamentit Shëndetësor në Burgje (DShB), e cila funksionon në kuadër të QPP-së, që, sipas nevojës dhe rekomandimit të mjekut, shërbimet shëndetësore ofrohen edhe në institucione tjera publike shëndetësore. MKPT-ja nuk ka marrë ankesa nga të burgosurit përkitazi me shërbimet mjekësore të cilat u ofrohen në këtë qendër”.

“Gjatë vizitës, MKPT-ja ka vërejtur se kontakti i të burgosurve me botën e jashtme mbetet në nivel të kënaqshëm dhe hapësirat ku pranohen vizitat familjare, sa u përket kushteve fizike, janë në nivel të kënaqshëm dhe nuk ka barriera të cilat do ta pengonin kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet familjarëve dhe të burgosurve”, thuhet më tutje në këtë raporti./Sinjali.com