image Brukseli i ashpër ndaj Kosovës: Prioritet i tyre aksionet e njëanshme e jo bashkëpunimi me miq e aleatë

Politikë

Brukseli i ashpër ndaj Kosovës: Prioritet i tyre aksionet e njëanshme e jo bashkëpunimi me miq e aleatë

news image

Bashkimi Evropian e ka kritikuar aksionin policor të Policisë së Kosovës në veri ndaj zyrave financiare, duke e cilësuar atë si përshkallëzues dhe të njëanshëm. Reagim të ashpër ka pasur edhe Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).

Në reagim thuhet se veprimi i mbylljes së gjashtë filialeve të kësaj banke bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

BE ka kritikuar institucionet kosovare për veprime të njëanshme dhe mosbashkëpunim me aleatët e saj.

“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, tha në një komunikatë për media zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Bashkimi Evropian e quajti vendimin veprim të pakoordinuar dhe përshkallëzues.

“Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa një paralajmërim paraprak, apo pa koordinim, vetëm disa ditë pas takimit të fundit të dialogut, i cili po ashtu merrej me çështjen e këtyre objekteve të bankës Postare Kursimore, është një përshkallëzim dhe shkon kundër frymës së normalizimit dhe dëmton vullnetin e mirë të Kosovës në arritjen e normalizimit të raporteve përmes dialogut”, thuhet në komunikatë.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani.

Stano tha aksioni policor i vë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në fillim të vitit të kaluar.

“Operacioni i policisë së Kosovës po ashtu dëmton negociatat në vazhdim e sipër për një zgjidhje të përkohshme për njerëzit që kanë pasoja negative nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme”, shtoi ai.

Ai e përsëriti se “statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe”.

Stano u bëri thirrje dy vendeve fqinje t’i kthehen dialogut të Brukselit.

/GazetaSinjali/