image Brnabiq në takim me Sarrazinin: Themelimi i Asociacionit mbi të gjitha

Politikë

Brnabiq në takim me Sarrazinin: Themelimi i Asociacionit mbi të gjitha

news image

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, priti në takim emisarin e posaçëm gjerman Manuel Sarrazin, me të cilin diskutuan rreth Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e cila, sipas Brnabiq, duhet të parapritet nga formimi i Asociacionit të Komunave me Shumcië Serbe.

Në njoftim për media të lëshuar nga Kryeministria e Serbisë, Brnabiq tha se presin zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese “dhe mbi të gjitha themelimin e Asociacionit të Komunave [të banuara me shumicë] Serbe”.

Para takimit, Manuel Sarrazin, i dërguari i Qeverisë Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe tashmë “është gëlltitur” nga Kosova.

Këtë deklaratë Sarrazin e bëri pasi të hënën u takua me kryeministrin Albin Kurti në rezidencën e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili e kishte fruar shefin e qeverisë kosovare në një “darkë pune”. I pranishëm aty ishte edhe përfaqësuesi special i Austrisë për Ballkan Perëndimor, Johannes Eigner. Kurti, gjithashtu e kishte me vete edhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetaren e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusarin.

“Përshtypja ime është se kjo, për palën kosovare, tema shumë e vështirë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë është gëlltitur. Si Gjermania, ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë kanë qenë gjithmonë të qartë për faktin se presim që Kosova ta përmbushë këtë dhe përshtypja ime është se kjo tani është pranuar edhe në Prishtinë. Mund ta kem gabim, por kjo është përshtypja nga takimet e mia në Prishtinë – se ata kanë bërë një hap përpara. Dhe ne presim që ata ta tregojnë atë në terren në ditët dhe javët në vijim”, tha i dërguari i Gjermanisë në një intervistë për KoSSev.

/GazetaSinjali/