18 spiunë rusë janë zbuluar dhe sanksionuar nga Britania, së bashku me njësitë e tyre të specializuara në sulme kibernetike, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm britanik, David Lammy.
Sipas tij, këta individë kanë shënjestruar për vite me radhë media, institucione demokratike dhe infrastrukturën energjetike të Mbretërisë së Bashkuar, në përpjekje për të ndikuar politikisht dhe destabilizuar vendin, raporton The Guardian.
Lammy theksoi se dy nga spiunët e identifikuar ishin të përfshirë në instalimin e softuerit spiun “X-Agent” në një pajisje të përdorur nga Yulia Skripal, vajza e ish-spiunit Sergei Skripal, e cila më pas u helmua në Salisbury në vitin 2018 – një rast që kishte tronditur Britaninë dhe për të cilin akuzohej Kremlini.
“Po e shohim se çfarë Kremlini po përpiqet të bëjë në hije dhe ne nuk do ta tolerojmë. Prandaj po ndërmarrim veprime me sanksionimin e spiunëve rusë,” – tha Lammy.
Sipas autoriteteve britanike, sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e bashkëpunimeve me institucionet britanike.
Ky është një ndër hapat më të ashpër të marrë nga qeveria britanike ndaj agresionit të padukshëm të Kremlinit, në përpjekje për të rritur sigurinë kombëtare dhe mbrojtur demokracinë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!