Britania ka regjistruar këtë javë numrin më të lartë të rasteve të reja me COVID-19 që prej korrikut.
Në Britani 333 mijë e 465 persona kanë rezultuar pozitivë gjatë shtatë ditëve të fundit, apo rreth 15 për qind më shumë se javën paraprake. Ky është numri më i lartë i rasteve të reja brenda një jave që prej 21 korrikut.
Po ashtu, në javën e fundit, vdekjet janë rritur për 12 për qind, duke e çuar në 139 mijë e 878 numrin e rasteve me fatalitet që prej nisjes së pandemisë. Britania është vendi i dytë në Evropë, pas Rusisë, me numrin më të lartë të vdekjeve, sipas të dhënave të prezantuara nga Universiteti Johns Hopkins.
Shkencëtarët kryesorë e kanë këshilluar Britaninë që të rivendosë masa kundër COVID-19, përfshirë edhe mbajtjen e detyrueshme të maskave, certifikatat e vaksinave dhe rekomandimeve që njerëzit të punojnë nga shtëpia.
Grupi këshillues i shkencëtarëve për emergjenca ka paralajmëruar për “rritje të shpejt të mundshme të shtrimeve në spital”, teksa rastet me koronavirus po vazhdojnë të rriten, raporton REL.
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson e ka minimizuar mundësinë e rikthimit të masës izoluese.
Ndërkaq, Rusia për të pestën ditë me radhë ka regjistruar numër rekord të vdekjeve dhe autoritetet janë përgatitur që të mbyllin vendet e punës dhe kanë vendosur masën e izolimit në kryeqytet./GazetaSinjali/