Sot në Këshillin e Sigurimit, Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar ka shprehur shqetësimin se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur.
Ai u ka bërë dy thirrje shteteve duke theksuar se duhet të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese të dala nga dialogu.
Ai po ashtu ka inkruajuar Kosovën që të ketë parasysh për vendimet e veta dhe ndikimin e tyre tek qytetarët, ndërsa tha që Serbia të ketë rol konstruktiv.
“Inkurajojmë Kosovën që të marrë parasysh me kujdes ndikimin e vendimeve të saj mbi të gjithë qytetarët, përfshirë ata të komuniteteve joshumicë dhe të punojë me partnerët e saj. E inkurajojmë Serbinë që të luajë rolin e vet në përpjekje për sigurim të drejtësisë dhe llogaridhënie për kryesit e sulmit tronditës të vitit të kaluar në Banjskë dhe të luajë rol konstruktiv në uljen e tensioneve dhe promovim të marrëdhënieve pozitive në rajon”, ka thënë përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit.
Mes tjerash, ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar është përkrahëse afatgjatë e sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës.
Ai përmendi edhe përpjekjet e Kosovës për rekrutimin e policëve nga komunitetet joshumicë dhe trajtimin e dhunës nga konflikti.