Autoritetet britanike të mbrojtjes kanë hartuar plane multimilionëshe për zhvillimin e teknologjisë që do të përdoret për mbrojtjen e kabllove dhe tubacioneve nënujore të Mbretërisë së Bashkuar.
Programi “Atlantic Bastion”, i prezantuar në kuadër të Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, do të kombinojë automjete autonome dhe inteligjencë artificiale me anije luftarake dhe avionë, me qëllim identifikimin dhe neutralizimin e kërcënimeve ndaj infrastrukturës nënujore.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka bërë të ditur se projekti vjen si përgjigje ndaj rritjes së aktivitetit të nëndetëseve dhe mjeteve nënujore ruse, përfshirë anijen spiune “Yantar”, e cila u gjurmua muajin e kaluar pranë ujërave britanike.
Për projektin janë ndarë këtë vit 14 milionë funte, rreth 16 milionë euro, nga Ministria e Mbrojtjes dhe industria, ndërsa synohet që teknologjia të vihet në përdorim gjatë vitit të ardhshëm.
Gjithsej 26 kompani nga Mbretëria e Bashkuar dhe Evropa kanë paraqitur propozimet e tyre për zhvillimin e sistemit.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, gjatë një vizite në Bazën Detare të Portsmouthit, tha se kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike nënujore po shtohen.
Ai theksoi se Britania dhe aleatët e saj duhet të veprojnë me shpejtësi për të ruajtur epërsinë dhe për të mbrojtur infrastrukturën që është thelbësore për jetën e përditshme.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia kanë nënshkruar një marrëveshje mbrojtjeje, e cila u mundëson marinave të tyre të operojnë një flotë të përbashkët anijesh luftarake, me fokus të veçantë në mbrojtjen e kabllove kritike nënujore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!